David dhe Victoria Beckham duket se kanë plane të mëdha për vajzën e tyre më të vogël. Harper Seven Beckham, vetëm 15 vjeçe,e cila po përgatitet të hedhë hapat e parë në botën e biznesit me një markë të sajën të produkteve të kujdesit për lëkurën, ndërsa prindërit e kanë mbështetur projektin me një investim që kapërcen 3 milionë dollarë.
Marka e re pritet të quhet “Harlo by Harper” dhe synon të sjellë produkte të kujdesit të lëkurës të krijuara posaçërisht për adoleshentët. Lansimi parashikohet për vitin e ardhshëm, kur Harper të mbushë 16 vjeçe.
Sipas raportimeve të mediave, detajet e investimit janë zbuluar përmes dokumenteve të para financiare të kompanisë “H7B Ltd”, të krijuar nga Victoria Beckham në tetor të vitit 2024 për të administruar të ardhurat e ardhshme dhe bashkëpunimet e vajzës së saj.
Një nga detajet më interesante është se “Harlo by Harper” pritet të funksionojë si një biznes i pavarur, pa qenë pjesë e kompanisë së produkteve të bukurisë së Victoria Beckham, “Victoria Beckham Beauty”. Ndërkohë, raportohet se ka nisur edhe procesi për regjistrimin e emrit “Harlo” si markë tregtare në Shtetet e Bashkuara.
Sa u përket produkteve, Harper thuhet se po punon me një ekip specialistësh për të krijuar një linjë që do të përfshijë pastrues për fytyrën, tonik, krem hidratues me teksturë të lehtë dhe balsam për buzët.
Ideja për këtë sipërmarrje duket se ka ardhur nga vetë Harper. Victoria Beckham kishte treguar më parë në një podcast se vajza e saj ishte frymëzuar nga përvojat personale me kujdesin e lëkurës, pasi kishte pasur probleme me aknet pas përdorimit të disa produkteve./mxh
