Last Updated on 13/10/2026 by Monika
Dani Carvajal ka nisur një aventurë të re në karrierën e tij duke u transferuar si lojtar i lirë te skuadra e Getafes.
Mbrojtësi spanjoll ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e klubit madrilen, duke firmosur një kontratë njëvjeçare pas largimit nga Real Madridi.
Rol të rëndësishëm në këtë transferim ka luajtur trajneri Jose Bordalas, i cili e ka kontaktuar personalisht për ta bindur që t’i bashkohet ekipit.
Carvajal do të mbulojë krahun e djathtë të mbrojtjes, ku do të ndajë minutat me Kiko Femenian, por mund të përdoret edhe si qendërmbrojtës në skemat me tre lojtarë mbrapa.
Ky kalim shënon edhe një ndryshim drastik financiar për lojtarin, i cili te Real Madridi përfitonte rreth 10 milionë euro neto në sezon, ndërsa tani do të ketë një pagë ndjeshëm më të ulët. Përveç fushës së lojës, drejtuesit e Getafes presin që përvoja e tij e gjatë të ketë një ndikim të madh pozitiv në dhomën e zhveshjes.
Mbrojtësi largohet nga “Los Blancos” si një nga lojtarët më të suksesshëm në histori, duke numëruar 27 trofe në 451 ndeshje, përfshirë gjashtë Liga Kampionesh, katër tituj të La Ligës dhe dy Kupa të Mbretit.
Sukseset e tij shtrihen edhe në arenën ndërkombëtare, ku ka fituar Ligën e Kombeve në vitin 2023 dhe Kampionatin Evropian në vitin 2024 me Spanjën./mxh
