Një defekt i rëndë në linjën kryesore të furnizimit me ujë ka lënë rreth 9 000 banorë të qytetit të Rrëshenit dhe disa fshatrave përreth pa ujë të pijshëm që në orët e para të së premtes. Verifikimet në terren treguan se dëmtimi përfshin rreth 85 metra të linjës dhe kërkon ndërhyrje të specializuar, mjete të posaçme teknike dhe punë në një terren të vështirë, çka e bën riparimin më të ndërlikuar.
Për shkak të pamjaftueshmërisë së kapaciteteve teknike, UK Lezhë po punon për të siguruar asistencën e nevojshme për riparimin përfundimtar. Ndërkohë, gjatë ditës është mundësuar një furnizim i pjesshëm me ujë për qytetin e Rrëshenit, por disa fshatra vijojnë të jenë pa ujë.
Emergjencat Civile bëjnë të ditur se situata po monitorohet dhe po punohet për rikthimin e furnizimit normal në të gjitha zonat e prekura.
