I mbijetova muajve të bombardimeve përpara se të arratisesha. Shkatërrimi sistematik i shtëpisë sonë ka prekur çdo aspekt të jetës së grave.
Olfat al-Kurd*
Që nga fillimi i sulmit të Izraelit ndaj Gazës në tetor 2023, kam humbur babanë, vëllain, bashkëshorten e tij dhe vajzën e tyre. Ata janë ende të varrosur nën rrënoja. Shtëpia ime, ku jetonim me familjen e burrit tim, u shkatërrua nga bombardimet izraelite. Në vitin 2024, pas muajsh bombardimesh, zhvendosjesh dhe arratisjesh, arrita të largohem me familjen time drejt Egjiptit. Që atëherë jetoj këtu, por kujtimet e jetës në Gaza më ndjekin vazhdimisht. Ajo që më ka ndodhur pasqyron realitetin me të cilin përballen gratë palestineze në Gaza gjatë kësaj lufte.
Që nga fillimi i luftës, shumë gra në Gaza janë kthyer në të vetmet mbajtëse të familjes. Një numër i madh kanë mbetur pa strehë dhe pa mbrojtje, ndërsa shumë kanë humbur fëmijët ose të gjithë familjen. Sipas një raporti të fundit të OKB-së, në këtë konflikt janë vrarë më shumë se 38,000 gra dhe vajza në Gaza, ndërsa 11,000 të tjera kanë pësuar dëmtime që sjellin paaftësi të përhershme.
Unë jetoja në lagjen Shuja’iyya të qytetit të Gazës me familjen time prej gjashtë anëtarësh. Jeta nën pushtimin izraelit karakterizohej nga dhuna, frika dhe pasiguria e vazhdueshme. Megjithatë, brenda këtij realiteti ne përpiqeshim të ruanim një jetë dinjitoze dhe vazhdimësie, me momente të vogla gëzimi. Qëndresa përballë dhunës u bë forma jonë e rezistencës.
Për mua, kjo rezistencë ishte puna si studiuese në terren për B’Tselem, duke dokumentuar shkeljet e të drejtave të njeriut në Gaza shumë kohë para luftës. Për familjen time, ajo nënkuptonte ruajtjen e një jete sa më normale: shëtitje përgjatë bregdetit të Gazës, vizita te prindërit në kampin e refugjatëve Jabaliya dhe udhëtime në Beit Lahia e Beit Hanoun. Sot, këto vende ekzistojnë vetëm në kujtesë.
U zhvendosa gjashtë herë përpara se të arratisesha në Egjipt në prill 2024. Në tetor 2023 u detyruam të largoheshim nga shtëpia dhe kaluam ditë të tëra nën bombardime të rënda. Fillimisht u strehuam në spitalin Al-Shifa, mes të plagosurve dhe të vdekurve. Më pas, pas urdhrit për evakuim nga Gaza veriore, u zhvendosëm në Al-Mughraqa dhe më pas në Khan Younis, ku jetuam në një strehë të mbipopulluar të UNRWA-s, në tenda, pa kushte bazike për ujë, ushqim apo ngrohje. Më vonë u zhvendosëm në Rafah, përpara se të arratiseshim në Egjipt.
Ditën që arritëm të largohemi, ndjeva një përzierje gëzimi dhe dhimbjeje: gëzim sepse mbijetuam, dhe dhimbje sepse nuk e kisha imagjinuar kurrë largimin nga Gaza në këto rrethana. Gratë e Gazës po luftojnë për mbijetesë. Në vend të sigurisë, jetojnë me frikë; në vend të së ardhmes, përballen me pasiguri ekstreme. Kushtet themelore të jetesës po shkatërrohen sistematikisht.
Kohët e fundit kam mbledhur dëshmi nga gra që ende jetojnë në Gaza për një raport mbi gratë palestineze në këtë luftë. Rrëfimet e tyre tregojnë vuajtje që shkojnë përtej mbijetesës së menjëhershme dhe prekin amësinë, trupin dhe dinjitetin njerëzor. Nuk do ta harroj historinë e Safaa al-Farmawi-t, vajza 15-vjeçare e së cilës u vra në një pikë shpërndarjeje ndihmash në Rafah. Gjatë urisë, ajo shkonte çdo ditë me fëmijët e saj në kërkim të ushqimit. Vajza e saj u qëllua për vdekje para syve të saj.
Jetesa në tenda ka shkatërruar edhe marrëdhëniet familjare dhe jetën e përditshme. Mungesa e ujit dhe e produkteve higjienike është bërë normë. “E vetmja zgjidhje ishte të përdornim copa rrobash si peceta higjienike,” më tha një nënë me gjashtë fëmijë.
Gratë përballen jo vetëm me kushte çnjerëzore, por edhe me trauma të thella psikologjike. “Jeta ime është kthyer në një tragjedi të vazhdueshme. Jam e lodhur shpirtërisht,” tha Nabilah Abd al-Nabi, 50 vjeçe, nënë e gjashtë fëmijëve.
Trajtimi i grave është thelbësor për të kuptuar realitetin në Gaza. Nuk bëhet fjalë vetëm për humbje jete, por për shkatërrimin e aftësisë për të mbajtur jetën: për të ushqyer, për të rritur dhe për të mbrojtur fëmijët. Megjithatë, gratë e Gazës vazhdojnë të përpiqen për mbijetesë dhe normalitet, edhe në kushte të pamundura.
*Olfat al-Kurd është studiuese në terren për B’Tselem, Qendra Izraelite e Informacionit për të Drejtat e Njeriut në Territoret e Pushtuara.
