Last Updated on 10/10/2025 by Kesjana
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka bërë thirrje Partisë Demokratike të marrë një qëndrim lidhur me deklaratat e kreut të PD, Sali Berisha, pranë dyerve të GJKKO dhe SPAK, të cilat ai i konsideron si kërcënime ndaj njerëzve të drejtësisë.
Ndërsa duke iu referuar debateve të zhvilluara dje në Kuvend, Balla ripublikoi një pjesë nga fjala e tij, ku theksonte se Kuvendi duhet t’u japë njerëzve të drejtësisë një mesazh mbështetjeje dhe një sinjal distancimi nga ata që i kërcënojnë përditë pranë dyerve të gjykatës dhe prokurorisë.
“Gjyqtarët, prokurorët dhe magjistratët presin nga Kuvendi i Shqipërisë një mesazh solidariteti, një sinjal mbështetjeje dhe distancimi nga persona të caktuar që, tek dera e gjykatës, kërcënojnë prokurorin dhe gjyqtarin. Kjo është e vërteta e madhe por ne shyqyr që ju kemi dhe Shqipëria gjynah që ju ka ju”, deklaroi Balla.
Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si opozita tentoi të marrë fjalën sipas tij jashtë rregullores, duke ripërsëritur se fjalën për procedurë duhet të merret vetëm në lidhje me çështjet e rendit të ditës./kb
