Surpriza që kryetari Sali Berisha kishte paralajmëruar një ditë më parë u shfaq vetëm në komisionin e posaçëm për reformën territoriale, ku demokratët u dalluan për mungesën e tyre të dukshme. Edhe pse Partia Demokratike kishte premtuar se këtë herë nuk do të përsëriste gabimin e vitit 2014, ata nisën punën me një bojkot të hapur.
Nga opozita, në komision morën pjesë vetëm aleatët e saj: Edmond Haxhinasto nga Partia e Lirisë dhe Vangjel Dule nga PBDNJ.
Megjithatë, vendimi i demokratëve nuk e pengoi bashkëkryetarin socialist Arbjan Mazniku që të zhvillonte mbledhjen konstituive të komisionit. Ai theksoi se do të kërkohet konsensus, por nuk do të lejohet bllokimi i procesit.
Sipas Maznikut, organizimi territorial lidhet ngushtë me procesin e integrimit europian të Shqipërisë, ku bashkitë duhet të jenë funksionale dhe t’i shërbejnë qytetarëve në mënyrë të drejtpërdrejtë. Deputeti i Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, shprehu skepticizmin e tij për fuqizimin e bashkive, duke e lidhur me centralizimin e shërbimeve nga pushteti qendror, sidomos gjatë vitit të fundit.
Socialistët gjithashtu nënvizuan nevojën për kujdes të veçantë ndaj bashkive me komunitete minoritare, duke vlerësuar jo vetëm eficencën, por edhe përfaqësimin e drejtë të të gjithë qytetarëve.
Komisioni i posaçëm për reformën territoriale, që do të ketë dy bashkëkryetarë, ka një afat pune prej 9 muajsh. Burime të brendshme bëjnë të ditur se deri në fund të këtij viti pritet të përpilohet një analizë e plotë e gjendjes territoriale.
Dizajnimi i ri i ndarjes administrative do të nisë në vitin 2026, ku Partia Socialiste ka pranuar publikisht se synon reduktimin e numrit të bashkive, ndërsa opozita kërkon të rritet ky numër.
