Southampton është përjashtuar nga “play-off”-et e Championship pasi pranoi shkelje të rregullave lidhur me spiunimin e seancave stërvitore të klubeve rivale.
EFL konfirmoi se klubi kishte filmuar në mënyrë të paautorizuar stërvitjet e Oxford United, Ipswich Town dhe Middlesbrough gjatë sezonit 2025-2026.
Përveç përjashtimit nga “play-off”-et, Southampton është ndëshkuar edhe me minus katër pikë për sezonin e ardhshëm në Championship.
Middlesbrough, që ishte eliminuar në gjysmëfinale nga Southampton, është rikthyer në finale dhe do të përballet me Hull City në “Wembley”.
Hetimet nisën pas incidentit të 7 majit, kur një analist i Southampton u kap pranë qendrës stërvitore të Middlesbrough duke filmuar seancën përgatitore para ndeshjes. Sipas raportimeve, personi tentoi të fshinte materialet nga telefoni dhe u largua menjëherë pasi u identifikua nga stafi i klubit vendas.
Southampton ka të drejtë apeli, ndërsa EFL po diskuton me klubet e përfshira pasojat e mëtejshme të vendimit./mxh
