Last Updated on 16/09/2026 by Anisa
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë lidhur me ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla e cilësoi vendimin si të padrejtë, duke theksuar se historia dhe kontributi i UÇK-së në çlirimin e Kosovës nuk mund të zhbëhen nga asnjë vendim gjyqësor.
“Ky vendim sot nuk është drejtësi. Nuk ç’bëhet dot historia e lavdishme e UÇK kështu. Padrejtësi!”, shprehet Balla.
Sipas tij, shqiptarët duhet të qëndrojnë në mbështetje të UÇK-së dhe të mbrojnë vlerat e luftës për liri. Balla kërkoi gjithashtu ndjekjen e të gjitha rrugëve juridike dhe ligjore për kundërshtimin e vendimit.
“Shqiptarët duhet të mbrojnë UÇK. Duhet të mbrojmë lirinë dhe çlirimtarët nga ky vendim i padrejtë. Duhet të gjejmë të gjitha rrugët juridiko-ligjore të ç’bërjes së këtij vendimi, sepse duhet të mbrojmë me çdo kusht identitetin tonë si komb”, deklaroi ai.
Lidhur me vendimin ka reaguar edhe kryetari Grupit Parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi i cili e ka cilësuar si një ditë të rëndë për kombin shqiptar. Ai theksoi se askush nuk mund ta bëjë pis luftën e drejtë për lirinë e Kosovës.
“E PABESUESHME! E PAPRANUESHME! Ditë e rëndë për kombin shqiptar, por akoma më e rëndë për njerëzimin dhe botën demokratike. Shqiptarët janë edhe më të fortë pas kësaj PADREJTËSIE DHE TURPI TË NJERËZIMIT! Askush nuk mund ta bëjë pis luftën e drejtë për LIRINË E KOSOVËS. Përjetësisht me UÇK-në”, shkruan ai.
