Nga Leonard Veizi
Nëse dikur njerëzit mërziteshin pa plan, sot jemi bërë aq modernë sa edhe trishtimin e kemi me kalendar. Mirë se vini në epokën e “Depresionit Blu”, gjendjes sonë të re “aristokratike” që na jep lejen zyrtare për t’u ndjerë keq sapo heqim pemën e Krishtlindjeve, që jemi mësuar ta emërtojme si pema e Vitit të Ri.
Në botën anglosaksone, ku çdo gjendje emocionale ka emrin e vet, trishtimi pas pushimeve quhet “Depresioni Blu”. Por çfarë nënkupton saktësisht kjo “shëmtim” emocional? Në fjalorin e psikologjisë moderne, ai është një trishtim i lehtë që na kap kur kuptojmë se jeta nuk është një festë e pafundme me drita dhe gjel deti. Është ajo rënie e lirë nga lartësitë e euforisë së dhjetorit direkt në asfaltin e ftohtë të janarit.
Dhe sikur ky trishtim të mos mjaftonte, bota na ka dhuruar “Blue Monday”, ose, në shqip, “E hëna blu”. Këtë vit, kjo ditë bie më 19 janar. Sipas një formule që duket sikur është shpikur në një tavernë pas mesnate, kjo llogaritet si dita më depresive e vitit.
Shqiptarët dhe tragjedia e 5 janarit
Për ne shqiptarët, “Depresionit Blu” merr përmasa epike. Ne kemi talentin unik që brenda pak ditësh festimi të jetojmë sa për një shekull: hamë sa për një ushtri, pimë sikur nuk ka të nesërme dhe shpenzojmë rrogën e tre muajve sikur jemi trashëgimtarë të Rockefeller-it.
Dhe pastaj vjen data 5 janar. Kthimi në punë nuk është thjesht një proces administrativ; është një zi kombëtare e pashpallur. Zgjimi në orën 07:00 duket si ndëshkim nga inkuizicioni, dhe kafeja e parë e punës ka shijen e humbjes. Nuk kemi thjesht lodhje; kemi një zhgënjim ekzistencial: viti 2026 erdhi, por ne jemi po të njëjtët – vetëm me ca kile më tepër në peshë.
Nga Depresioni i Madh te Depresioni Blu
Në vitet ’30, Amerika përjetoi Depresionin e Madh – njerëzit nuk kishin bukë, punë apo shtëpi. Sot, në vitin 2026, kemi Depresionin Blu – kemi bukë – madje me tepri – dhe punë, por na mungon ndjeshmëria pozitive. Dikur depresioni vinte nga uria, sot vjen nga fakti që duhet të punojmë për të paguar këstin e iPhone-it që morëm për të fotografuar gjelin e detit mbi pjatancë dhe bakllavanë në tepsi.
Marketingu i trishtimit
Le të jemi të sinqertë: “Blue Monday” nuk u shpik në laboratorët e Harvardit. Ky koncept lindi si një fushatë marketingu për të na bindur se zgjidhja për trishtimin tonë është të presim një biletë avioni për në Maldive. Bukuria e saj qëndron në faktin se nuk ekziston fare në mjekësi – është një krijesë e pastër marketingu, një mit i bukur që na lejon të ndihemi “shkencërisht” të justifikuar për dembelizmin dhe ankthin e pasfestave.
Bluja është thjesht një ngjyrë
Në fakt, nuk ka asgjë “blu” te 19 janari, përveç ndoshta ngjyrës së duarve nga i ftohti duke pritur në stacionin e urbanit. Depresioni Blu nuk është mallkim, por një udhërrëfyes: tregon se jemi ngopur me sheqer, drita artificiale dhe lajme televizive.
Ndoshta mënyra më e mirë për ta përballuar është të qeshim me të. Mos e shmangni “Blue Monday”; përqafojeni. Uluni në zyrë, bëni sikur jeni shumë të zënë dhe shikoni nga dritarja, duke kuptuar se ky trishtim është thjesht çmimi që paguajmë për faktin që jemi bërë kaq të ndjeshëm ndaj kalendarit.
Deri më 20 janar, do të jeni shëruar – jo sepse do të ndryshojë moti, por sepse një skandal i ri në rrjetet sociale do t’ju tërheqë vëmendjen dhe do ta harroni “ditën blu”.
