Last Updated on 02/07/2026 by Kesjana
Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka lëshuar akuza të forta ndaj kryedemokratit Sali Berisha, duke e cilësuar atë si “kambalecin politik” të kryeministrit Edi Rama. Sipas ish-deputetit demokrat, kreu i PD-së po i shërben interesave të Ramës, ndërsa në kulmin e protestave qytetare ka zgjedhur të largohet nga Parlamenti në vend që, sipas tij, të përballej me mazhorancën dhe të mbështeste protestuesit.
Salianji akuzon gjithashtu Berishën se po shkatërron Partinë Demokratike duke përjashtuar figurat me kontribut dhe meritë.
Reagimi i Salianjit
Sali Berisha ka zgjedhur t’i shërbejë deri në fund Edi Ramës. Ditën kur qytetarët protestojnë përballë Parlamentit, në vend që të përballet me Edi Ramën dhe të jetë mburojë politike për protestuesit, ai braktis Parlamentin dhe largohet. Në ditët më të zeza per Edi Ramën, Berisha zgjedh te shkatërrojë Partinë Demokratike!
E njëjta logjikë sundon edhe brenda Partisë Demokratike. Si kryetar uzurpator, përjashton nga Kryesia njerëzit me kontributin më të madh. Më të votuarit nga qytetarët rezultojnë më të pavotuarit në Kryesinë e Sali Berishës. Ata që kanë mbajtur peshën e opozitarizmit për 13 vite ose lihen jashtë, ose renditen në fund. Qarqe si Korça dhe Shkodra mbeten pa asnjë përfaqësues, ndërsa edhe qarqet fituese injorohen dhe nuk përfaqësohen siç duhet.
Një opozitë nuk mund të fitojë duke përjashtuar meritën, votën dhe kontributin dhe duke futur anonimë që nuk i njeh askush përveç rrjeteve sociale si fansa të uzurpatorit!
Nëse duam të largojmë Edi Ramën, duhet të largojmë më parë pengesën më të madhe të opozitës: Sali Berishën, i cili është kthyer në kambalecin politik të Edi Ramës.
Ne nuk do i lemë demokratët të vetëm, kontributi i tyre do të vlerësohet!/kb
