Last Updated on 13/10/2026 by Anisa
Ish-ministri socialist Arben Malaj ka kritikuar besnikërinë e deputetëve ndaj liderëve politikë, duke e cilësuar atë si një problem të politikës shqiptare. I ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, Malaj komentoi votimin e reformës territoriale, duke u ndalur te qëndrimet e Erion Braçes, Elisa Spiropalit dhe Vullnet Sinajt, të cilët në fund iu bashkuan vendimit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Sipas Malajt, deputetët u përballën me zgjedhjen mes mbështetjes së qëndrimeve të tyre dhe respektimit të vendimit të partisë, pasi dalja kundër grupit parlamentar mund t’u kushtonte përjashtimin nga PS-ja.
“Deputetët kanë një besnikëri të verbër dhe janë si manekinë, vetëm tundin kokën. Çfarë thotë udhëheqësi duhet miratuar patjetër. Nuk është gjë e mirë. Do të vazhdojnë të jenë deputetë, do të kenë përfitimet e tyre, por kjo nuk është normale, nuk është etike dhe as shpirtërore. Nëse do të vazhdojmë me këtë psikologji se do të mbijetojmë nëpërmjet besnikërisë ndaj liderëve politikë, politika shqiptare këtë gjë do të prodhojë gjithmonë. Të tre deputetët, Braçe, Spiropali dhe Sinaj, iu bashkuan vendimit të grupit parlamentar, pasi ka një rregull që duhet ta ndash në atë moment: kur del jashtë vendimit të grupit, grupi të përjashton. Ishte një sfidë e madhe për ta, të votonin apo të shkëputeshin nga Partia Socialiste, ose do t’i largonin nga PS-ja, apo të thoshin: ‘Ne e bëmë pjesën tonë, i mbështetëm banorët e zonës, por iu përmbajtëm në fund qëndrimit të partisë”, tha Malaj.
“Hesape pa hanxhinë”, mesazh edhe për ata jashtë PS-së
I pyetur nga moderatorja Erla Mëhilli për deklaratën e kryeministrit Edi Rama se “s’bëhen hesape pa hanxhinë me PS-në”, Malaj u shpreh se mesazhi i kreut të qeverisë kishte një domethënie më të gjerë dhe nuk u drejtohej vetëm deputetëve socialistë.
Sipas tij, deklarata e Ramës ishte një sinjal edhe për ata që kishin krijuar pritshmëri për një qëndrim ndryshe nga brenda mazhorancës, por që në fund u përballën me zhgënjimin pas miratimit të reformës territoriale me 85 vota.
“Është një mesazh më i gjerë sesa për deputetët e PS-së, sepse theksi te ‘mos bëni llogari pa hanxhinë’ ishte pikërisht edhe për ata që janë jashtë Partisë Socialiste, që mendonin dhe për të cilët kishte shumë shpresë në opinionin publik. Këtu është ajo vija e hollë e Braçes dhe kolegëve të tjerë: krijimi i pritshmërive të mëdha krijoi pastaj atë zhgënjimin e madh. Pasi u zhgënjyen në këtë rast dhe u votua me 85 vota, është e vështirë të gjesh një sinergji për një rast tjetër, pasi duket që gjithçka është nën kontroll. Mesazhi nuk ishte vetëm për socialistët, por edhe për socialistët”, tha Malaj./ad
