Last Updated on 02/12/2025 by EL
Deputeti socialist i qarkut të Vlorës, Ardit Bido, duke folur në seancën plenare të së hënës, ka lëshuar kritika ndaj deputetëve të opozitës se më 28 nëntor bojkotuan ceremoninë e ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë.
Bido e quajti paturpësi faktin se deputetët zbatuan urdhrin për të shmangur ceremoninë vetëm se bashkia e Vlorës është e majtë.
“Është paudhësi, është paturpësi, është e paskrupullt që në ditën e ngritjes së flamurit, një formacion politik në kundërshtim me sa kërkojnë ndjekësit e asaj partie, të bojkotojnë flamurin. Unë e di që kur thoni të bojkotoni flamurin, e keni fjalën për Flamur tjetër.
Të bojkotosh flamurin kombëtar është turp. E di urdhrin tuaj të përgjithshëm që në këtë ditë nuk duhet të jesh në ceremoninë e bashkisë. A thua se bashkia është institucion partiak, a thua se në këtë vend nuk ka bashki të majta e të djathta, ky është turp.
Akoma më turp është turp është ajo ca ka ndodhur në Sarandë, që nuk shkuan fare në ceremoninë e ngritjes së flamurit”, tha Bido.
Reagon Bardhi
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, i është përgjigjur deputetit të PS Ardit Bido i cili akuzoi demokratët se kanë bojkotuar ceremoninë e ngritjes së Flamurit më 28 Nëntor.
Bido akuzoi opozitën se mungesa e tyre në ceremoni përbënte mosrespektim ndaj simbolit kombëtar.
Bardhi u shpreh se askush nga demokratët nuk ka përdorur kurrë një ditë bashkimi kombëtar për përçarje politike, duke theksuar se nderimi i flamurit kërkon integritet dhe veprim, jo vetëm pjesëmarrje në ceremoni. /E.T
