Last Updated on 02/12/2025 by Monika
Emigrimi i të rinjve spanjollë drejt vendeve të tjera evropiane ka shndërruar një problem ekonomik në një fenomen të dukshëm social.
Shumë të rinj largohen nga vendi për shkak të papunësisë së lartë dhe mungesës së perspektivave profesionale, duke kërkuar jashtë atyre mundësi reale, paga konkurruese dhe një të ardhme më të sigurt.
Në 2025, papunësia te të rinjtë nën 25 vjeç në Spanjë arrin 25-26%, shumë mbi mesataren e BE-së, me rreth 500,000 të rinj të papunë. Të dhënat tregojnë gjithashtu një pjesëmarrje të ulët të të rinjve në tregun e punës, me vetëm 23,6% të të rinjve të punësuar, krahasuar me rreth 35% në mesataren evropiane.
Sara, një 22-vjeçare spanjolle, është një nga shembujt e qartë të këtij fenomeni. Dy vite më parë vendosi të emigronte në Zvicër për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt. Fillimisht punoi në një familje zvicerane, ku kujedesej për mirëmbajtjen e banesë, me paga minimale, por pas përpjekjeve dhe përballjes me sfidat e gjuhës, Sara sot punon në dy vende të ndryshme, në një supermarket dhe në bar, dhe fiton mbi 5,300 euro në muaj, shumë më shumë se një inxhinier mesatar në Spanjë.

Megjithatë, Sara vë në dukje edhe anën tjetër të medaljes: “Zvicra është vend ku njerëzit mendojnë vetëm për punë dhe para. Shumë prej të rinjve që vijnë këtu ndihen të vetmuar dhe të izoluar, veçanërisht nëse nuk ke mbështetje,” thotë ajo.
Zvicra është sot një nga destinacionet kryesore për emigrantët spanjollë, me rreth 100,000 deri në 136,000 të vendosur atje. Paga mesatare në vend është rreth 6,500 euro, dhe kërkesa për punëtorë të kualifikuar në sektorë si inxhinieria, shëndetësia dhe teknologjia e bën vendin një atraksion për të rinjtë që nuk gjejnë mundësi të ngjashme në Spanjë.
Ky fenomen nënvizon një realitet shqetësues: shumë të rinj spanjollë po kërkojnë një jetë më të mirë jashtë vendit, ndërsa Spanja humbet talentin e saj më të ri dhe të kualifikuar./mxh
