Last Updated on 09/09/2026 by EL
Deputetja socialiste Iris Luarasi ka reaguar pas shoqërimit në komisariat të një prej protestuesve, pas protestës së zhvilluar një ditë më parë në ambientet e një qendre tregtare.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Luarasi e cilëson si “fake news dhe manipulim të shëmtuar” një publikim ku pretendohej se protestuesja ishte marrë në polici për shkak të dëmtimit të automjetit të saj.
“Protestuesja është shoqëruar në komisariat lidhur me sulmin ndaj automjetit privat të deputetes Ilva Gjuzi dhe dëmtimin e pasqyrës së tij dhe s’ka lidhje fare me mua”, shkruan Luarasi.
Ajo shprehet se deri tani nuk ka ndërmarrë asnjë hap ligjor ndaj personave që, sipas saj, e kanë denigruar përmes publikimeve në rrjetet sociale.
“Përdorimi i fytyrës sime mbi trupin e një gruaje tjetër është poshtërim publik dhe dhunë digjitale ndaj një gruaje”, shprehet deputetja.
Luarasi shton se publikimi i lajmeve të rreme e rëndon edhe më shumë situatën.
“Kur kësaj i shtohet edhe një lajm i rremë, nuk kemi më as informacion, as satirë dhe as gazetari. Gazetaria kërkon të vërtetën, kurse qelbësirllëku ushqehet me gënjeshtrën”, përfundon ajo./et

