Këto janë vendet që nxisin relaksin dhe romancën, në vend të stresit dhe mbingarkesës.
Të udhëtosh në çift është një mënyrë e shpejtë për të testuar forcën e marrëdhënies. Në fund të pushimeve, ose ktheheni me shumë kujtime të reja dhe një lidhje më të fortë, ose niseni drejt shtëpisë duke vënë në dyshim të ardhmen e marrëdhënies.
Një analizë e re nga Pour Moi ka identifikuar destinacionet që premtojnë pushime romantike, të paharrueshme dhe me sa më pak konflikte. Marka bashkëpunoi me terapisten e marrëdhënieve dhe seksologen Georgina Vass, duke analizuar 100 destinacione në më shumë se 40 vende.
Sipas analizës, këto janë pesë destinacionet kryesore ku çiftet kanë më pak gjasa të konfliktohen gjatë pushimeve:
1. Liqeni Garda, Itali
Liqeni Garda në Itali u rendit në vendin e parë, me 90 pikë nga 100. Sipas analizës, zona spikat për rehati dhe relaks, falë numrit të lartë të hoteleve me katër ose më shumë yje. Atmosfera e qetë dhe romantike u jep çifteve mundësinë të ngadalësojnë ritmin dhe të rilidhen me njëri-tjetrin.
2. Bled, Slloveni
Bled në Slloveni u rendit në vendin e dytë, me 73.55 pikë nga 100. Destinacioni spikati veçanërisht për sigurinë, duke marrë vlerësimin më të lartë në këtë kategori. Ai u rendit mirë edhe për qetësinë dhe aventurën, një kombinim ideal për pushime në çift me më pak stres dhe konflikte.
3. Essaouira, Marok
Në vendin e tretë renditet Essaouira në Marok, me 69.95 pikë nga 100. Destinacioni u vlerësua për atmosferën e qetë, çmimet e përballueshme dhe aktivitetet e shumta që mund të bëhen në këmbë.
Kostoja e ulët është veçanërisht e rëndësishme, pasi stresi financiar shpesh shkakton tensione dhe debate gjatë udhëtimeve. Essaouira ofron ushqim të freskët, kulturë dhe përvoja kuptimplota, pa kërkuar një buxhet të lartë.
4. Giethoorn, Holandë
I njohur si “Venecia holandeze”, Giethoorn u rendit në vendin e katërt me një rezultat prej 69,12 pikësh. Fshati dallohet për organizimin e tij tërheqës pa makina, gjë që ndihmon në shmangien e kaosit dhe mbingarkesës shqisore gjatë eksplorimit. Në vend të rrugëve me automjete, ai ofron kanale, shtigje për këmbësorë dhe një ritëm më të ngadaltë jetese, që krijon më shumë hapësirë për romancë dhe rilidhje emocionale.
5. Kotor, Mali i Zi
Kotori renditet në vendin e pestë, me një rezultat të përgjithshëm prej 68,46 pikësh. Studimi vuri në dukje se qyteti i vjetër kompakt, pamjet nga bregdeti, shtigjet për ecje dhe çmimet e përballueshme e bëjnë këtë destinacion më të lehtë për t’u eksploruar në çift, pa stresin logjistik që mund të shoqërojë vizitat në qytete më të mëdha./ Forbes-ad
