Nga Alessandra Baldini
Në një nga skenat më të fuqishme të filmit “Odisea” të Christopher Nolan, ku heroi i Homerit përballet me Laestrygonianët – gjigantët mitikë që ushqehen me njerëz dhe shkelin ligjet e shenjta të mikpritjes – shikuesit shohin trupin dhe forcën fizike të Matt Damonit në rolin e Uliksit. Por ajo që nuk shihet në ekran është një e vërtetë e pazakontë: një pjesë e madhe e asaj performance fizike i përket një gruaje.
Bicepsët, lëvizjet dhe përplasjet trup më trup në atë skenë nuk ishin të aktorit amerikan, por të Devyn Dalton, një kaskadere kanadeze me një shtat shumë më të vogël se personazhet gjigantë me të cilët përballej. Dalton, e cila është rreth 1.60 metra e gjatë, u bë trupi i fshehtë i mbretit të Itakës në një nga momentet më të vështira të filmit.
Damon vetë e zbuloi këtë prapaskenë, pasi dikush kishte lavdëruar formën e tij fizike dhe bicepsët e skalitur për rolin e Uliksit.
“Krahët e saj janë më të jashtëzakonshëm që kam parë ndonjëherë”, u shpreh aktori, duke korrigjuar idenë se forca që shihej në ekran ishte vetëm e tij.
Në skenën e betejës kundër Laestrygonianëve, Dalton u vendos përballë kaskaderëve mbi dy metra të gjatë. Sfida u zgjidh përmes një prej teknikave më të vjetra të magjisë së kinemasë: perspektivës së detyruar.
Kjo teknikë mashtron syrin e publikut duke bërë që një person të duket më i madh ose më i vogël nga sa është në të vërtetë, pa pasur nevojë për efekte digjitale. Kamera, distanca dhe këndi i xhirimit krijojnë një iluzion optik që e bën një luftëtar të vogël të duket si një hero gjigant.
Është një truk i përdorur edhe nga regjisorë të tjerë të mëdhenj, si Alfred Hitchcock dhe Peter Jackson në trilogjinë “The Lord of the Rings” dhe “The Hobbit”, për të krijuar dallimin mes hobitëve dhe racave të tjera të Tokës së Mesme. Nolan, i njohur për preferencën e tij ndaj efekteve praktike dhe xhirimeve reale, e përdori këtë metodë në vend të krijimit të gjithçkaje me CGI.
Devyn Dalton nuk është një emër i panjohur në botën e akrobacive filmike. E lindur dhe rritur në Kanada, ajo u formua fillimisht si balerinë, përpara se të kalonte në kinematografi. Debutimin në film e bëri në vitin 2011 me role të vogla në serinë “Planet of the Apes”, ndërsa më vonë aftësitë e saj akrobatike u panë në projekte si “Weapons” dhe “The Last of Us”.
Megjithatë, “Odisea” ishte një sfidë e veçantë: ishte hera e parë që ajo punonte si dublante për një aktor të famshëm mashkull në një rol kaq të madh. Një arritje jo e zakonshme në një industri ku pjesa më e madhe e kaskaderëve janë ende burra.
Sipas sindikatës amerikane SAG-AFTRA, gratë përbëjnë pak më shumë se 20 për qind të interpretueseve të skenave të rrezikshme në film dhe televizion. Dalton shpreson se vëmendja që solli “Odisea” do të ndihmojë në ndryshimin e këtij raporti.
“Jam vërtet krenare që puna ime në film po e vendos në qendër të vëmendjes botën e akrobacive dhe, veçanërisht, gratë kaskadere”, është shprehur ajo. “Gratë kanë punuar shumë në këtë industri për një kohë të gjatë dhe është emocionuese të jesh pjesë e një lëvizjeje që më në fund po u jep atyre dukshmërinë që meritojnë.”
Nëse Matt Damon mund të jetë ndër emrat që do të përmenden për çmimet e Akademisë për interpretimin e tij si Uliksi, pas ekranit ekziston edhe një tjetër protagoniste e padukshme e kësaj aventure: një grua e vogël në shtat, por e madhe në forcë, që i dha trup heroit të lashtë të Homerit.
Në fund të fundit, shumë nga magjia e kinemasë nuk ndodh para kamerës, por pas saj. Aty ku njerëz si Devyn Dalton bëjnë të mundur që legjendat të duken reale.
