Duke parë vendet me interesin më të ulët në kërkime këtë sezon, Skyscanner ka krijuar një listë destinacionesh ku mund të shkoni pa u përballur me turma.
Ndërsa vende si Barcelona, Venecia, Dubrovniku dhe Mykonosi do të mbeten gjithmonë të njohura, nëse udhëtoni gjatë pikut të verës, zgjedhja më e përgjegjshme është të shkoni diku tjetër.
Jo vetëm që do të ndihmoni destinacionet që po përballen me turizmin e tepruar, por do të përfitoni edhe vetë nga mungesa e turmave kudo që zgjidhni të shkoni.
Për fat, Skyscanner ka analizuar të dhënat dhe ka përzgjedhur tetë destinacione më pak të njohura në Europë, bazuar te vendet me interesin më të ulët në kërkime për këtë verë.
Nga “coolcations” në qytetet më pak të njohura të Finlandës, te arratisjet në ishuj grekë jashtë destinacioneve kryesore, ja ku duhet të shkoni.
Turku, Finland
Ndërsa shumë turistë po shkojnë drejt Oulu për programin e tij si Kryeqytet Europian i Kulturës, apo në Laplandën finlandeze për të përjetuar diellin e mesnatës, Skyscanner sugjeron që në radar të keni edhe Turku.
Qyteti më i vjetër i Finlandës është i mbushur me ndërtesa historike, nga Sheshi i Vjetër i Madh deri te Katedralja e Turku-t. Çdo verë, qyteti gjallërohet edhe më shumë me festivalin “Medieval Turku”, i cili sjell argëtim, punime artizanale, ushqime dhe pije të frymëzuara nga Mesjeta.
Turku ka gjithashtu një skenë kulinarie në zhvillim, me restorante që fokusohen te qëndrueshmëria dhe produktet lokale. Mund të zgjidhni një lokal përgjatë brigjeve të lumit Aura, ose të vizitoni Kaskis, restoranti i parë jashtë Helsinkit që ka fituar një yll Michelin.
Crotone, Itali
Puglia, “thembra” e Italisë, është shumë e dashur për turistët – por “maja” e saj, Kalabria, shumë më pak.
Pikërisht këtu ndodhet Crotone, një qytet i madh historik grek, banori më i famshëm i dikurshëm i të cilit ishte filozofi Pitagora.
Sot mund të zbuloni historinë e tij të shtresëzuar greke, romake dhe moderne italiane përmes vizitave në Parkun Arkeologjik Capo Colonna, ku gjenden mbetjet e një tempulli dorik, ose në Muzeun Arkeologjik Kombëtar të Crotone-s, që ruan gjetjet më të rëndësishme të qytetit.
Përveç historisë, Crotone krenohet edhe me plazhe të mrekullueshme dhe është një pikënisje e mirë për tre parqet kombëtare të rajonit: Sila, Aspromonte dhe Pollino.
Kalymnos, Greqi
Vargu ishullor i Dodekanezit në Detin Egje është mjaft i njohur falë popullaritetit të Kos-it dhe Rodosit, por edhe Kalymnos, ishulli i tretë më i populluar i tij, ia vlen të vizitohet.
Vitet e fundit, ishulli është shndërruar në një nga destinacionet kryesore për ngjitje shkëmbore, me gati 2,500 itinerare sportive, nga më të lehtat deri te më sfidueset.
Për ata që preferojnë ecjet në natyrë, ka shumë shtigje më të shkurtra, si edhe Kalymnos Trail, një itinerar 10-ditor prej 100 km rreth ishullit.
Historikisht, ishulli njihej për zhytjet për sfungjerë deti, por megjithëse kjo industri është zhdukur për shkak të mbipeshkimit, Kalymnos sot është shumë i preferuar nga adhuruesit e zhytjes nënujore.
Janina, Greqi
Larg ishujve, Greqia kontinentale ka plot perla të fshehura – përfshirë Janina-n në veriperëndim.
E vendosur buzë liqenit Pamvotida, prej këtej mund të bëni një udhëtim të shkurtër me varkë drejt ishullit në mes të tij për të vizituar manastiret, ose ta eksploroni liqenin me kajak.
Në vetë Ioannina-n mund të vizitoni kështjellën, që daton nga Perandoria Bizantine, si edhe Muzeun e Argjendarisë brenda mureve të saj, i cili tregon historinë e këtij zanati për të cilin njihet rajoni.
Pico, Portugali
Edhe pse arkipelagu portugez i Azoreve po bëhet gjithnjë e më popullor, disa prej ishujve të tij mbeten ende më pak të vizituar.
Pico është ideal për adhuruesit e ecjeve në natyrë: ishulli ka malin më të lartë të Portugalisë, 2,315 metra mbi nivelin e detit, dhe shtigjet e tij mund t’i zbuloni në faqen Visit Azores.
Vreshtaria e ishullit, që daton nga shekulli XV, është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ndaj mund të rezervoni degustime vere ose ture në vreshta gjatë qëndrimit tuaj.
Clermont-Ferrand, Francë
I rrethuar nga vargu vullkanik Chaîne des Puys, Clermont-Ferrand mban gjurmët e gjeologjisë në ndërtesat e tij me ngjyrë të errët, të ndërtuara me gur lokal, përfshirë edhe katedralen mahnitëse gotike në qendër të qytetit.
Ka shumë shtigje për ecje që përshkojnë zonën me 80 vullkanet e saj, të cilat mund t’i gjeni në faqen turistike Clermont Auvergne Volcans.
Clermont-Ferrand është gjithashtu vendlindja e kompanisë së gomave Michelin, ndaj nuk është çudi që këtu ka katër restorante me yje Michelin, përfshirë Le Pré, i cili ka dy të tillë.
Kiruna, Suedi
Kiruna, qyteti më verior i Suedisë, u bë kryefjalë vitin e kaluar kur kisha e saj ikonike u zhvendos e tëra gjatë dy ditëve.
Përveç vizitës në kishën në vendndodhjen e saj të re, mund të mësoni më shumë për minierën më të madhe nëntokësore të hekurit në botë – dhe arsyen pse po zhvendoset qendra e qytetit – në Qendrën e Vizitorëve të LKAB-së.
E vendosur 200 kilometra mbi Rrethin Arktik, Kiruna gjatë muajve të verës ofron edhe diellin e mesnatës, duke ju dhënë më shumë kohë për ecje në malet pranë.
Astypalaia, Greqi
Një tjetër ishull i vargut të Dodekanezit, Astypalaia në formë fluture është si kartolinë, por pa turma.
Mund të shëtisni mes ndërtesave të bardha, të ngjiteni te Kalaja veneciane e Querini-t dhe të fotografoni mullinjtë tradicionalë të erës në Chora, por gjëja kryesore për të bërë këtu është thjesht të relaksoheni në një nga plazhet e bukura të ishullit./ Euronews-A.D
