Last Updated on 14/05/2026 by EL
Ditën e sotme, Ministri i Mbrojtjes, z. Ermal Nufi ka mikpritur Komandantin e Komandës së Forcës së Bashkuar në Napoli (Joint Force Command Naples), Admiralin Xhorxh M. Uikof (George M. Wikoff), i cili ndodhet në Shqipëri për një vizitë zyrtare.
Gjatë takimit, ministri Nufi theksoi se kjo vizitë e rëndësishme pasqyron partneritetin e qëndrueshëm mes Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe aleatëve në NATO, duke nënvizuar se vendi ynë mbetet plotësisht i angazhuar ndaj mbrojtjes kolektive dhe vlerave të përbashkëta demokratike.
Nufi shprehu besimin e tij në rolin kyç që kjo Komandë luan për sigurinë euroatlantike, stabilitetin rajonal dhe paqen ndërkombëtare. Më tej e siguroi admiralin Uikof se Shqipëria ka si prioritet kryesor modernizimin e vazhdueshëm të Forcave të Armatosura dhe përmbushjen e të gjitha detyrimeve që burojnë nga anëtarësimi në NATO.
Në fokus të diskutimeve ishin edhe zhvillimet e fundit gjeopolitike në Evropën Juglindore. Palët vlerësuan se rajoni mbetet i ekspozuar dhe i cënueshëm ndaj dezinformimit, si dhe ndaj sulmeve hibride dhe kibernetike, çka kërkon vëmendje dhe koordinim të vazhdueshëm dhe vigjilent mes aleatëve.
Një vend të veçantë në bisedë zuri edhe situata e sigurisë në Kosovë, ku u theksua roli aktiv i misionit KFOR. Në këtë fokus, ministri Nufi shprehu vlerësim të veçantë për praninë e NATO-s, veçanërisht në veri të Kosovës, duke e cilësuar atë thelbësore për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si forcë e besueshme parandaluese dhe garantuese e sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, e më gjerë.
Ministri i Mbrojtjes Nufi siguroi Komandantin e Komandës së Forcës së Bashkuar në Napoli, se Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë në misionet KFOR dhe EUFOR ALTHEA, duke rritur për herë të parë edhe angazhimin me mjete ajrore dhe kapacitetet për mbrojtje ndaj kërcënimeve kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore (CBRN).
Komanda e Forcës së Përbashkët Aleate në Napoli është një nga tre Komandat e Forcës së Përbashkët në strukturën komanduese të NATO-s. Misioni i kësaj Komande është të përgatitet, të planifikojë dhe të kryejë operacione ushtarake me qëllim ruajtjen e paqes, sigurisë dhe integritetit territorial të shteteve anëtare të Aleancës në të gjithë zonën e përgjegjësisë së SACEUR (Supreme Allied Commander Europe) dhe përtej saj.
Përveç kësaj, JFC Naples kontribuon në menaxhimin e krizave dhe parandalimin e kërcënimeve duke siguruar që selitë dhe forcat e caktuara të jenë në gjendjen e përcaktuar të gatishmërisë për kryerjen dhe mbështetjen e operacioneve./ET







