Kryeministri në detyrë dhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, është zhvilluar në një frymë konstruktive, por pa arritur një marrëveshje politike.
Pas më shumë se tri orë diskutimesh në Kuvend, Kurti tha se me drejtuesit e LDK-së kanë biseduar për situatën politike dhe institucionale në vend, sfidat me të cilat përballet Kosova dhe mundësitë për bashkëpunim në të ardhmen.
“Diskutuam shumë çështje të aktualitetit politik, të situatës institucionale dhe të sfidave që na presin. Ndajmë shumë brenga, por njëkohësisht ka edhe shumë vullnet e zell për të punuar bashkë në të ardhmen”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se takimet mes partive politike duhet të jenë pjesë normale e komunikimit politik dhe të shërbejnë për gjetjen e zgjidhjeve, pavarësisht dallimeve që ekzistojnë mes tyre.
Megjithatë, Kurti konfirmoi se me LDK-në nuk është arritur një marrëveshje konkrete.
“Lajm do të ishte po të kishim marrëveshje. Marrëveshje politike nuk kemi. Kemi diskutuar për qasje të ndryshme dhe mundësitë që i kemi përpara. Kemi nevojë për një marrëveshje politike që respekton rezultatin zgjedhor dhe e shndërron atë në stabilitet institucional”, deklaroi ai.
Kryeministri në detyrë paralajmëroi se në mungesë të një marrëveshjeje politike, Kosova mund të përballet me zgjedhje të reja, edhe pse sipas tij ky skenar nuk është i dëshirueshëm.
Duke folur për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, Kurti bëri të ditur se gjatë takimit me LDK-në nuk janë diskutuar emra konkretë. Ai tha se synimi është gjetja e një kandidati gjithëpërfshirës, jashtë polemikave partiake, i cili do të kishte mbështetje të gjerë në Kuvend.
Kurti foli edhe për komunikimet me partitë e tjera politike. Ai kritikoi kryetarin e AAK-së, Ardian Gjini, duke thënë se, pavarësisht gatishmërisë së shprehur për takim, një takim mes tyre nuk është zhvilluar.
Ndërkohë, kryetari i Vetëvendosjes shtoi se mbetet i gatshëm të takohet edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për të diskutuar mënyrat e tejkalimit të situatës politike në vend./mxh
