E keni të vështirë të shkëputeni nga puna edhe pasi ka përfunduar orari zyrtar? Mendimet për detyrat që keni lënë përgjysmë mund të jenë duke ju shkaktuar lodhje mendore. Në psikologji, ky fenomen njihet si “efekti Zeigarnik” dhe lidhet me prirjen e trurit për të mbajtur në vëmendje gjërat që nuk kemi arritur t’i përfundojmë.
Koncepti daton që në vitin 1927, kur psikologia ruse Bluma Zeigarnik publikoi një studim që tregonte se njerëzit i kujtonin më lehtë detyrat gjatë të cilave ishin ndërprerë, sesa ato që kishin përfunduar. Frymëzimi për këtë teori erdhi nga vëzhgimi i kamarierëve në një restorant, të cilët arrinin të mbanin mend porositë e klientëve deri në momentin e pagesës. Sapo paguheshin, porositë i harronin.
Edhe pse rezultatet e këtij fenomeni nuk janë konfirmuar gjithmonë në mënyrë të njëtrajtshme nga studimet, kërkimet kanë treguar se detyrat e papërfunduara vazhdojnë të na pushtojnë mendjen, duke e bërë të vështirë shkëputjen nga angazhimet e përditshme.
“Ne kemi një nevojë të brendshme për t’i përfunduar gjërat. Kërkojmë një ndjesi mbylljeje dhe duam që detyrat të marrin fund”, shpjegon Christine Syrek, profesoreshë e psikologjisë në Universitetin e Shkencave të Aplikuara Bonn-Rhein-Sieg në Gjermani.
Sipas saj, mbajtja mend e detyrave të papërfunduara mund të jetë e dobishme kur rikthehemi në punë, por nëse mendimet për to vazhdojnë edhe jashtë orarit, pasojat mund të jenë stresi, çrregullimet e gjumit dhe lodhja psikologjike.
Për të shmangur këtë mbingarkesë, ekspertët sugjerojnë pesë mënyra të thjeshta:
1. Vendosni objektiva dhe planifikoni detyrat
Nuk është e nevojshme të përfundoni çdo detyrë brenda një dite. E rëndësishme është të keni një plan të qartë se si do t’i realizoni. Studimet tregojnë se njerëzit që përcaktojnë objektiva, rendisin prioritetet dhe parashikojnë pengesat e kanë më të lehtë të shkëputen nga puna. Edhe shënimi i detyrave në një agjendë mund të ndihmojë, pasi i jep trurit sigurinë se ato nuk do të harrohen.
2. Çaktivizoni njoftimet e punës
Kontrollimi i vazhdueshëm i email-eve dhe mesazheve mund të bëjë që puna të na ndjekë edhe në shtëpi. Ekspertët këshillojnë të përcaktoni orare të caktuara për të kontrolluar postën elektronike dhe të shmangni përgjigjet jashtë orarit zyrtar. Kjo ndihmon në uljen e stresit dhe në ruajtjen e kufirit mes jetës profesionale dhe asaj personale.
3. Shmangni mbivendosjen e shumë projekteve
Kalimi i vazhdueshëm nga një detyrë te tjetra e ngarkon trurin dhe e vështirëson përqendrimin. Për këtë arsye, kur është e mundur, përpiquni të përfundoni një angazhim përpara se të nisni një tjetër. Sipas ekspertes Joan Ongchoco, çdo detyrë që mbyllim çliron burime mendore dhe na ndihmon të ndihemi më energjikë.
4. Planifikoni punën përpara pushimeve
Detyrat e lëna pezull mund të ndikojnë edhe në mënyrën se si i shijojmë pushimet. Një studim i kryer para dhe pas pushimeve të Krishtlindjeve zbuloi se punonjësit që kishin më pak angazhime të papërfunduara ndiheshin më mirë kur riktheheshin në punë. Megjithatë, ekspertët theksojnë se nuk duhet të përpiqeni të përfundoni gjithçka përpara se të largoheni. Mjafton ta lini punën të organizuar në mënyrë që të mund t’i riktheheni pa vështirësi.
5. Krijoni rituale për t’u shkëputur nga puna
Ndryshimi i ambientit mund t’i japë trurit sinjalin se dita e punës ka përfunduar. Një shëtitje, kalimi në një dhomë tjetër apo zhvendosja e laptopit larg hapësirës ku punoni mund të ndihmojnë në krijimin e një distance psikologjike nga detyrat. Ky proces lidhet edhe me të ashtuquajturin “efekti i derës”, sipas të cilit kalimi nga një hapësirë në tjetrën ndihmon trurin të lërë pas informacionin e mëparshëm dhe të përqendrohet te ajo që vjen më pas.
Në thelb, çelësi për të shmangur lodhjen mendore nuk është të përfundoni çdo gjë brenda ditës, por të mësoni t’i lini detyrat e papërfunduara pa i marrë vazhdimisht me vete në mendje. Planifikimi, kufizimi i njoftimeve dhe krijimi i një rutine shkëputjeje mund t’ju ndihmojnë të rikuperoni energjinë dhe të shijoni kohën jashtë punës./mxh
