Tradita, kultura dhe trashëgimia e Devollit janë sjellë në vëmendje në Ditën e Trashëgimisë Kombëtare. Bashkia Devoll ka organizuar një aktivitet kushtuar vlerave dhe identitetit të kësaj treve, duke bashkuar në një hapësirë të vetme veshjet tradicionale, artizanatin, kulinarinë, këngët dhe vallet folklorike. Në qendër të aktivitetit kanë qenë elementët autentikë të trashëgimisë devollite, të cilët janë përcjellë ndër breza dhe vijojnë të ruhen edhe sot.
Punimet artizanale të realizuara me grep e shtiza, objektet tradicionale, gatimet karakteristike të zonës dhe veshjet popullore kanë sjellë për publikun një pjesë të kulturës së përditshme të Devollit.

Risia e këtij viti në aktivitet ka qenë pjesëmarrja e Sazeve të Vjetra Devollite, duke rikthyer në skenën e këtij aktiviteti instrumentistë të vjetër dhe duke sjellë për publikun tingujt autentikë të muzikës tradicionale devollite.
Drejtoresha e Kulturës, Trashëgimisë dhe Turizmit në Bashkinë Devoll, Elona Uzhuri, tha se përmes këtij aktiviteti është synuar jo vetëm promovimi i traditës, por edhe vlerësimi i personaliteteve që kanë dhënë kontribut në fusha të ndryshme.
“Si çdo vit, në Ditën e Trashëgimisë Kombëtare, Bashkia Devoll ka zgjedhur të festojë traditën, kulturën, vlerat e trashëgimisë kombëtare, por në veçanti të trashëgimisë së Devollit, i cili ka një identitet të fortë. Dhe në këtë ditë, përveçse është një ditë feste, kemi dashur të shprehim mirënjohjen dhe ndaj personaliteteve që kanë kontribute të çmuara në Devoll: në art, në kulturë, arsim, shkencë edhe në shumë fusha të tjera, duke i rikujtuar me mirënjohje për kontributet e çmuara në këtë ditë të trashëgimisë kombëtare. Ne kemi dashur të sjellim në vëmendje veshjet tona autentike, të cilat janë të trashëguara ndër breza, vallja devollitçe për të cilën ne vazhdojmë akoma lobojmë për ta mbrojtur edhe në UNESCO, ushqimet tradicionale, kulinarinë e shkëlqyer që gratë devollite kanë, ushqimet të cilat janë një trashëgimi e ditëve të sotme dhe vazhdon të jetë në çdo shtëpi devollite dhe në çdo restorant të zonës sonë“, u shpreh Uzhuri.
Një vend të veçantë në aktivitet ka zënë vallja devolliçe, e konsideruar një prej simboleve më të rëndësishme të identitetit kulturor të kësaj treve. Për koreografin Nikolla Ceka, kjo valle nuk është thjesht një performancë folklorike, por një dëshmi e mënyrës së jetesës dhe karakterit të banorëve të Devollit.
“Qershia mbi tortë e të gjithë aktivitetit ishin të gjitha çfarë kanë sjellë nxënësit, kulinarinë, një atmosferë shumë e bukur. Por ajo që është më e bukura janë vallet, kërcimet folklorike të trevës së Devollit. Ne kemi vallen devolliçe. Ju e patë që ne punojmë dhe atë e trashëgojmë në breza. Vallja devolliçe është tepër e rëndësishme, sepse tregon vlerat e Devollit. Aty shkruhet e gjithë jeta e devolliut, puna, djersa dhe dituria e tij”, tha Ceka.
Krahas valleve dhe veshjeve tradicionale, aktiviteti ka sjellë edhe brezin e ri më pranë trashëgimisë. Nxënësit kanë prezantuar punime të trashëguara nga gjyshet dhe nënat e tyre, duke treguar përpjekjet për të mos humbur zanatet dhe traditat e vjetra.
“Gjërat që kemi prezantuar sot janë dëshmi e kulturës dhe e traditës së fshatit tonë ndër vite me radhë. Kemi punime me grep, punime me shtiza, punime të ndryshme zbukurimi. Këto punime janë realizuar nga gjyshet, stërgjyshet, por edhe nga nënat tona. Por ne si brezi i ri përpiqemi të mësojmë ndonjë gjë”, shprehet Evi Taso, nxënëse e shkollës “Jorgo Plaku”, Hoçisht.
Edhe kulinaria tradicionale ka qenë pjesë e rëndësishme e aktivitetit. Gatimet karakteristike të Devollit, të përgatitura sipas recetave të trashëguara ndër breza, janë prezantuar si një tjetër pasuri e kësaj treve. Mes artizaneve të vlerësuara ka qenë edhe Kostandina Mano, e cila është nderuar me certifikatë mirënjohjeje me motivacionin “Mjeshtre e traditës dhe shijes autentike”. Ajo prej dekadash vijon të ruajë mënyrat tradicionale të përgatitjes së produkteve dhe gatimeve të Devollit.
“Devolli ka shumë gatime dhe ne jemi nga Devolli. Fillojmë që nga byreku, pispilia prej misri, lakrori me dy petë, dredhanik, petulla. Do t’i shijojmë edhe këtu, se i kemi sjellë, i kanë gatuar nënat e Devollit. Është trashëguar dhe ruhet akoma. Për akulloren u vlerësova. Unë kam qenë që në monizëm, kam 53 vite vetëm me këtë punë. Edhe akulloren e bëjmë siç e bënim në monizëm. Vetëm origjinale, bio, me qumësht, sheqer dhe pak niseshte”, tha Mano.
Në këtë ditë nuk kanë munguar as vlerësimet për personalitete që kanë lënë gjurmë në kulturën dhe traditën e Devollit. Një prej tyre ka qenë valltari dhe koreografi Ali Kondi, i cili është vlerësuar pas vdekjes me certifikatë mirënjohjeje.

Çmimin e ka marrë vajza e tij, Mimoza Hoxha Kondi, e cila e cilësoi vlerësimin një nderim për kontributin e të atit në ruajtjen dhe përcjelljen e valles devolliçe.
“Unë jam vajza e të madhit Ali Kondi, artistit të merituar të valles dhe të këngës të Devollit. Prandaj ndihem shumë krenare për këtë vlerësim që m’u dha për babain tim. Vallja devolliçe ka qenë prej brezash dhe do të vazhdojë sa të jetë njerëzimi në rruzullin tokësor. Vallja devolliçe në çdo lëvizje tregon karakterin e saj. Fillon e lehtë, tregon si punon dhe si jeton devolliu, dhe pastaj shpërthen, siç shpërthen edhe devolliu me punën, zgjuarsinë dhe mendjen e tij”, tha Kondi.
Veç Ali Kondit dhe Kostandina Manos, certifikata mirënjohjeje iu dhanë edhe Edmond Canes, me motivacionin “Futbollist”, si dhe znj. Myfide Lame, e vlerësuar me motivacionin “Simbol i arsimit”. Përtej festës, aktiviteti ka përcjellë edhe një mesazh për ruajtjen e kësaj pasurie kulturore. Bashkia Devoll vijon të mbështesë përpjekjet për promovimin e valles devolliçe dhe elementëve të tjerë të trashëgimisë së zonës, me synimin që ato të mbeten të gjalla dhe të kalojnë nga brezi në brez./k.m
