Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe mbi 40 të tjerë janë plagosur, pasi protestat në qytetin Latakia të Sirisë u përshkallëzuan në dhunë dhe të shtëna me armë.
Sipas zyrës mediatike të provincës Latakia, incidenti ndodhi gjatë një tubimi masiv të komunitetit alavit, i cili u zhvillua në Sheshin Azhari, në zemër të qytetit.
Mijëra protestues u mblodhën për të kërkuar një sistem politik të decentralizuar në Siri, si dhe lirimin e mijëra të burgosurve alavitë. Rreth dy orë pas nisjes së protestës, u dëgjuan të shtëna armësh nga një vend i paidentifikuar, çka shkaktoi panik dhe kaos mes turmës.
Forcat e sigurisë që ndodheshin në zonë hapën zjarr në ajër për të shpërndarë protestuesit, ndërsa demonstruesit u panë duke transportuar të plagosurit në këmbë, larg sheshit.
Në një deklaratë me shkrim për mediat, autoritetet lokale konfirmuan se tre persona u vranë dhe mbi 40 u plagosën, pa sqaruar nëse viktimat ishin të gjitha në Latakia apo edhe në qytete të tjera ku po zhvilloheshin protesta të ngjashme.
Tubimi ishte thirrur nga kreu i Këshillit Suprem Islamik Alavit, Ghazal Ghazal, ndërsa protestuesit brohorisnin slogane si “Duam federalizëm” dhe “Populli sirian është një”.
Një nga demonstruesit deklaroi për Reuters se protestuesit kishin dalë për të kërkuar dinjitet dhe të drejtën për të jetuar, duke kërkuar një sistem federal të ngjashëm me atë të vendeve të mëdha perëndimore.
Siria vijon të përballet me tensione të forta sektare që prej rrëzimit nga pushteti të Bashar al-Assadit vitin e kaluar, lider që i përkiste komunitetit alavit. Që prej atëherë, vendi drejtohet nga një qeveri e udhëhequr nga shumica sunite.
Vetëm në muajin mars, më shumë se një mijë alavitë u vranë pas një kryengritjeje të dështuar nga besnikë të Assadit, ndërsa javën e kaluar tetë persona humbën jetën nga një shpërthim në një xhami alavite në qytetin Homs.
Situata në Siri mbetet e brishtë, ndërsa frika nga përshkallëzimi i dhunës sektare vazhdon të rritet./mxh
