Pasditen e së martës, në Vatikan u zhvillua ceremonia madhështore e kremtimit të 60-vjetorit të deklaratës historike “Nostra Aetate” të Koncilit të Dytë të Vatikanit, dokumenti që përcaktoi marrëdhëniet e Kishës Katolike me ndjekësit e feve të tjera.
Në këtë ngjarje të rëndësishme për dialogun dhe bashkëjetesën ndërfetare në mbarë botën, mori pjesë me ftesë zyrtare edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj, duke përfaqësuar komunitetin bektashian dhe traditën fetare shqiptare të paqes, tolerancës dhe dashurisë njerëzore.
Para fillimit të ceremonisë, Shenjtëria e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj mori pjesë në pritjen e veçantë të Atit të Shenjtë, Papa Leo XIV, ku u zhvillua një bashkëbisedim i ngrohtë mbi rëndësinë e forcimit të dialogut ndërfetar në kohët sfiduese që po kalon bota.
Në këtë veprimtari ishin të pranishëm gjithashtu gazetari Ferdinand Samarxhi dhe Sekretari i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Genti Kruja, të cilët nënvizuan kontributin e Shqipërisë si model i harmonisë fetare.

Ndërkaq, Papa Leoni XIV mbajti një fjalim të ngrohtë dhe reflektues përballë përfaqësuesve të feve botërore dhe trupit diplomatik, duke theksuar rëndësinë e dialogut, shpresës dhe bashkëjetesës paqësore ndërmjet popujve.
Tema e këtij përvjetori, “Duke ecur së bashku në shpresë”, u shndërrua në një thirrje për unitet shpirtëror dhe bashkëpunim mes feve në një botë të lënduar nga ndarjet dhe dhuna.
Papa kujtoi se gjashtëdhjetë vjet më parë u mboll fara e dialogut ndërfetar, e cila sot është bërë “një pemë madhështore që jep fryte miqësie, mirëkuptimi dhe paqeje”.
Ai shprehu mirënjohje për burrat e gratë që e kanë bërë realitet këtë vizion, përfshirë edhe ata që dhanë jetën “si martirë të dialogut”.
Ai foli për rreziqet e reja që kërcënojnë paqen dhe unitetin: mure të rinj që ngrihen mes kombeve dhe feve, plagët e varfërisë, zhurmën e konflikteve dhe “britmën e tokës”.

Megjithatë, Papa ftoi udhëheqësit fetarë të mos dorëzohen përballë dëshpërimit, por të bëhen “profetë të kohës sonë” që denoncojnë dhunën dhe padrejtësinë, shërojnë ndarjet dhe shpallin paqen.
Dikasteri për Dialogun Ndërfetar i Vatikanit organizoi këtë përvjetor të shënuar në kuadër të Vitin Jubilar – Pelegrinazhi i Shpresës, duke theksuar se, edhe pas gjashtë dekadash, “Nostra Aetate” mbetet një dritë udhërrëfyese për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe bashkëpunimit mes feve.
Në të njëjtin kuadër, Audienca e Përgjithshme e kësaj të mërkure, e drejtuar nga Ati i Shenjtë Papa Leo XIV, i kushtohet temës së dialogut ndërfetar dhe bashkëpunimit për paqe në botë.
Gjatë këtyre 60 viteve, ky dialog ka dëshmuar se është një forcë e fuqishme për shërimin e plagëve, parandalimin e konflikteve dhe ndërtimin e urave të mirëkuptimit midis popujve dhe besimeve të ndryshme./ K.M
