Nga një fantazi për jetën pas vdekjes deri te një tregim humbjeje në Mumbai, vdekja është tema që përsëritet në këtë përmbledhje tregimesh – një jehonë e romancierit në kulmin e tij.
Kevin Power
Në fund të librit Thika (Knife), botuar në vitin 2024, për sulmin ndaj tij në një aktivitet publik në Nju Jorkun Verior, që e la pa syrin e djathtë, Salman Rushdie ofron një eksperiment mendimi:
“Imagjinoni se nuk dinit asgjë për mua, se keni ardhur nga një planet tjetër ndoshta, dhe ju janë dhënë librat e mi për t’i lexuar, pa ditur emrin tim, pa njohur asgjë për jetën time apo për sulmin ndaj ‘Vargjeve Satanike’ më 1989. Atëherë, nëse i lexoni librat e mi me radhë kronologjike, nuk besoj se do të mendonit: ‘Diçka fatkeqe ndodhi në jetën e këtij shkrimtari në 1989’. Librat janë udhëtimi i tyre më vete.”
Një pohim i jashtëzakonshëm, nëse është i vërtetë – por, edhe pse sipërfaqja e ndritshme e prozës së Rushdie-t ka treguar pak prova të dukshme të statusit të tij si “njeriu i shënuar” nga ajatollah Khomeini, romanet e tij kanë ndjekur me besnikëri traumën dhe pasojat e saj.
Romani i parë pas fetvasë, The Moor’s Last Sigh (1995), nis me Moraes Zogoiby-n që vrapon për jetën e tij, i ndjekur nga “përndjekës” të panjohur. Fury (2001), botuar pasi presidenti iranian Mohammad Khatami e shpalli fetvanë “të përfunduar” në vitin 1998, është në mënyrë të dukshme romani i çlirimit të njeriut që rifiton lirinë. Shalimar the Clown (2005) fillon, siç tregon vetë Rushdie, me “një imazh që s’mund ta hiqja nga mendja: një burrë i vdekur që shtrihet përtokë, ndërsa vrasësi i tij qëndron mbi të me një thikë të përgjakur.”
Ky imazh, thotë Rushdie në Knife, ishte “një parashenjë”. Por ishte edhe një kthim pas, drejt fatit të mundshëm që shkrimtari u detyrua ta imagjinonte për vite me radhë. “Jam një njeri i vdekur”, – ky, siç rrëfen në kujtimet Joseph Anton (2012), ishte mendimi i tij i parë kur dëgjoi lajmin për fetvanë.
Por Rushdie nuk është një njeri i vdekur. Ai ende shkruan. Ora e Njëmbëdhjetë (The Eleventh Hour), një përmbledhje me pesë tregime, duket e menduar si një kodë e karrierës së tij. Tregimet janë të mbushura me hijen e vdekjes. Njëri prej tyre quhet Vonë (Late): një fantazi për jetën pas vdekjes, ku një profesor i Kembrixhit – me karrierë që ngjan si me E.M. Forster-in (autor i një romani të madh për Indinë) ashtu edhe me Alan Turing-un (për dekodimin e Enigmës) – vdes dhe nis të përndjekë një studente indiane të quajtur Rosa. Ajo që i lidh mund të jenë krimet e fshehura të perandorisë.
Tregimtari i Kahanit (The Musician of Kahani) rikthen “këngët më të njohura” të Rushdie-t: është fjala për një fëmijë të lindur në mesnatë (“ora e miratuar për lindje të mrekullueshme në pjesën tonë të botës”), i cili në moshën katërvjeçare shndërrohet papritur në pianist të talentuar – si ylli i rokut Ormus Cama në The Ground Beneath Her Feet, që luante kitarë imagjinare në djep.
Rushdie ka qenë një nga burimet më të thella të letërsisë bashkëkohore – ai ka formësuar romanin e madh shpikës të shekullit XXI.
Tregimet janë argëtuese, por jo veçanërisht të fuqishme. The Musician of Kahani mbështetet shumë në klishe: “universiteti i jetës”, “arti i paçmuar”, “gishti mbi puls”, “dasma e vitit”… Ndërsa Në Jug (In the South) është më i goditur: një anekdotë e hollë dhe prekëse për dy pleq në Mumbai që grinden dhe shpotisin njëri-tjetrin nga verandat përballë. Njëri, Junior, vdes në një aksident; tjetri, Senior, zhytet në dëshpërim derisa kupton se “jeta dhe vdekja janë vetëm veranda ngjitur”. Oklahoma evokon Kafkën: është një metafiksion për një shkrimtar të ri indian dhe një romancier amerikan më të vjetër, që ai e admiron — apo ndoshta diç më shumë se kaq. Tregimi pyet: në rastet e ndikimit letrar, kush e shkruan kë?
Rushdie ka qenë një nga themelet e romanit bashkëkohor. Gjurmët e tij gjenden në romanet e mëdhenj shpikës të shekullit XXI: te piklat e ndjeshme të shiut të Elif Shafakut, te familjet melodramatike të Kiran Desait, te metamorfozat e racës (Mohsin Hamid) dhe historisë (Marlon James).
Por ndikimi i tij nuk ka qenë pa pasoja. Ai u ka dhënë leje shkrimtarëve më të dobët të jenë sentimentalë për fuqinë e tyre imagjinative; ka lejuar që personazhet të shndërrohen në figura karikaturale; dhe ka ushqyer një epidemi të rrëfimit përmes “tregimit të tepërt”, në vend të shfaqjes. Ngjarjet në romanet e tij të fundit, si Shtëpia e Artë (The Golden House, 2017) dhe Kishot (Quichotte, 2019), tregohen pareshtur, por rrallë përjetohen – një virus i “të treguarit” që ka infektuar ndjeshëm romanin bashkëkohor.
Megjithatë, Rushdie mbetet një pionier. Shkëlqimi dhe forca gjuhësore e Fëmijëve të Mesnatës (Midnight’s Children) mbeten, pas 44 vjetësh, një kënaqësi e rrallë për t’u lexuar. Një shkrimtar tjetër do të ishte thyer nga ajo që Rushdie përjetoi. Por ai jo. Ai i shkroi librat – dhe shumë prej tyre kanë pasur rëndësi të madhe.
“Fjalët na tradhtojnë,” është fjalia e fundit e Ora e Njëmbëdhjetë. Ajo mbyll një tregim për një shesh publik – një piazza – ku gjuha, e mishëruar si një grua njerëzore, adhurohet, pushtohet, shpërfillet. Në fund ajo bërtet dhe zhduket, dhe ndërtesat e sheshit çahet njëra pas tjetrës: “Sheshi është i thyer, dhe ndoshta edhe ne.”
Fjalët ende nuk e kanë tradhtuar Salman Rushdie-n, edhe pse në këtë libër të vonë dhe vetëdijshëm të fundit, origjinaliteti spektakolar i kulmit të tij letrar tingëllon më shumë si jehonë sesa si zë i gjallë i tashëm.
Përgatiti për botim: L.Veizi
