Last Updated on 27/10/2026 by Monika
Shqetësim për gjendjen shëndetësore të Sean “Diddy” Combs. Reperi amerikan dyshohet se është rrëzuar në burgun federal FCI Fort Dix, në New Jersey, duke pësuar një dëmtim në kokë. Sipas mediave amerikane, 56-vjeçari është dërguar me ambulancë në spital mëngjesin e së shtunës, ndërsa detajet e incidentit mbeten ende të paqarta.
Burime të cituara nga mediat bëjnë me dije se Combs ishte i vetëdijshëm dhe në gjendje të komunikonte kur u kthye në burg, përpara agimit. Megjithatë, nuk dihet ende se çfarë e shkaktoi rrëzimin dhe sa serioz është dëmtimi i dyshuar.
Përfaqësuesi i tij, Juda Engelmayer, konfirmoi për “Daily Mail” se ekipi ligjor dhe ai i komunikimit ishin në dijeni të raportimeve dhe po përpiqeshin të sqaronin rrethanat.
“Shëndeti dhe mirëqenia e Sean janë shqetësimi ynë i menjëhershëm”, deklaroi ai.
Edhe “TMZ” raportoi për incidentin, por deri më tani nuk janë publikuar të dhëna të konfirmuara mbi mënyrën se si ndodhi ngjarja.
A do t’i zgjatet qëndrimi pas hekurave?
Incidenti vjen në një periudhë kur reperi po vuan dënimin e dhënë pas një procesi gjyqësor që shkaktoi reagime të shumta në Shtetet e Bashkuara.
Combs u dënua me katër vjet e dy muaj burg, pasi u shpall fajtor për dy akuza që lidhen me transportimin e personave për qëllime prostitucioni përtej kufijve shtetërorë. Nga ana tjetër, juria e shpalli të pafajshëm për akuzat për organizim kriminal dhe trafikim seksual.
Sipas të dhënave të Byrosë Federale të Burgjeve, data e parashikuar e lirimit të tij është ndryshuar disa herë. Aktualisht, ajo është caktuar për 2 mars 2028, në vend të datës së mëparshme, 21 janar 2028. Nuk është bërë e ditur zyrtarisht se çfarë ka çuar në këtë ndryshim.
Pretendimet për trajtim të privilegjuar brenda burgut
Kohët e fundit, emri i reperit është përfshirë edhe në raportime që ngrenë pikëpyetje mbi kushtet në të cilat ai po vuan dënimin. Sipas mediave amerikane, Combs është rikthyer në izolim pas pretendimeve se kishte përfituar privilegje të pazakonta brenda institucionit.
Një raportim i “NBC News”, duke iu referuar personave që kanë qëndruar në të njëjtin sektor burgu me të, pretendonte se disa të burgosur kujdeseshin për nevojat e tij të përditshme, përfshirë përgatitjen e ushqimit dhe pastrimin e qelisë. Në të njëjtat dëshmi përmendeshin edhe masazhe që dyshohet se i ofroheshin reperit.
Akuzat e raportuara shkonin edhe më tej. Sipas dëshmive të publikuara, Combs dyshohet se kishte akses në një telefon celular dhe në një tablet të modifikuar, përmes të cilit mund të ketë ndjekur dokumentarin e 50 Cent që trajton çështjet dhe polemikat e lidhura me të.
Katër persona që kanë qëndruar në të njëjtin sektor kanë pretenduar gjithashtu se reperi kishte akses në pije alkoolike të futura kontrabandë dhe në shërbime të tjera që nuk janë të zakonshme për të burgosurit. Sipas këtyre raportimeve, shpenzimet dyshohet se mbuloheshin përmes llogarive të të burgosurve të tjerë, të cilave u shtoheshin fonde nga persona jashtë institucionit.
Megjithatë, këto pretendime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. Përfaqësuesi i Combs ka deklaruar se thashethemet e publikuara nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.
Ndërkohë, Byroja Federale e Burgjeve nuk ka dhënë detaje mbi kushtet e izolimit apo trajtimin e reperit, duke iu referuar rregullave të privatësisë dhe sigurisë së personave të burgosur.
Për momentin, mbetet e paqartë se çfarë ndodhi saktësisht me Diddy-n dhe nëse incidenti do të ketë ndonjë ndikim në qëndrimin e tij në burg. Deri në publikimin e informacioneve të konfirmuara, rrethanat e dëmtimit të dyshuar në kokë mbeten të paqarta./mxh
