Last Updated on 03/12/2024 by adminfjala
Nga Ina Allkanjari
Në vitin 2021, qeveria shqiptare përfshiu në programin e saj qeverisës premtimin për një administratë tatimore të digjitalizuar plotësisht, që do të ofronte shërbime 100% online për tatimpaguesit dhe do të reduktonte vizitat inspektuese. Ky objektiv përfshin krijimin e mundësisë për tatimpaguesit që të kryejnë të gjitha transaksionet dhe procedurat tatimore online. Ndërsa premtimet e qeverisë janë bërë pjesë e një programi ambicioz për modernizimin e administratës, përvojat e bizneseve ngrejnë disa pikëpyetje rreth realizimit të këtyre angazhimeve. Si ka ndryshuar situata në terren katër vite pas këtij premtimi? Kjo pyetje është rikthyer shpesh në diskutimet e ekspertëve dhe bizneseve, të cilët janë përballur me ndryshime të shumta ligjore dhe sfida të papritura. Vetëm në vitin 2024, pak para përfundimit të mandatit qeveritar, u miratua Ligji Nr. 99/2024 “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”. Vetë kryeministri Edi Rama në një deklaratë në muajin Maj të këtij viti pranoi se inspektorët e tatimeve janë të përfshirë në korrupsion ndërsa theksoi se do të merren masa për të eliminuar praktikat korruptive. “Nuk do të ketë më karikatura që do shfaqen në dyert e bizneseve për të marrë “kafe”. Ne kemi një luftë shtetbërjeje, që hapësira e korrupsionit të ngushtohet”, deklaroi kryeministri Edi Rama. Për të kuptuar më mirë situatën dhe avancimin e procesit të digjitalizimit, i drejtuam një kërkesë për informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Përgjigja që morëm tregon se Administrata Tatimore ofron 98% të shërbimeve online, përfshirë 31 shërbime nëpërmjet portalit e-Albania dhe 13 shërbime nëpërmjet e-Filing.
“Aktualisht AT, në kuadër të procesit të rregullimit të shërbimeve online/offline po vijon punën në dy drejtime: përmirësimin e shërbimeve online; shtimin e shërbimeve online”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Drejtoria e Tatimeve shpjegon se Sistemi i Menaxhimit të Riskut përzgjedh bizneset me risk për inspektim nëpërmjet një strategjie seleksionimi, duke u fokusuar jo vetëm në identifikimin e shkeljeve tatimore, por edhe në evidentimin e të metave dhe përmirësimin e edukimit tatimor, me qëllim parandalimin e evazionit dhe shmangies tatimore. “Risqet kryesore kanë të bëjnë me: Regjistrimin; Deklarimin; Pagesën; Raportimin. Përzgjedhja e tatimpaguesve bëhet automatikisht nga sistemi pa lënë hapësira për t’u ndryshuar manualisht”, thuhet në përgjigje. Sa i përket numrit të gjobave për shkelje tatimore, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregon se përgjatë periudhës Janar-Dhjetor 2023 janë konstatuar 909 shkelje nga bizneset, ndërkohë përgjatë periudhës Janar-Nëntor 2024 janë konstatuar 1632 shkelje. Një rritje kjo e konsiderueshme krahasuar me shkeljet e raportuara një vit më parë. Kjo rritje, mund të tregojë një shtim të kontrollit dhe ndëshkimeve por gjithashtu ngre pyetje për efektivitetin e masave parandaluese dhe për ngarkesën që krijohet për bizneset.
Të dhëna të vendosura në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, datë 25 Nëntor 2024
Numrin më të lartë të shkeljeve sipas llojit të tyre në të dy vitet e zejn tatimpaguesit e penalizuar për moslëshim të faturës tatimore. Konkretisht në vitin 2023 janë penalizuar 341 tatimpagues, ndërsa në vitin 2024 janë penalizuar 661 tatimpagues. Në vendin e dytë për numrin më të lartë të shkeljeve janë tatimpaguesit të cilët janë penalizuar pasi janë konstatuar me punonjës të padeklaruar. Konkteritsht 141 tatimpagues për vitin 2023 dhe 201 tatimpagues për vitin 2024. Ndërkohë, për të mësuar më shumë rreth hapave që po ndërmerren për të realizuar ndryshimet e premtuara kërkuam informacion nga Kryeministria. Në përgjigjen e saj, theksohet se miratimi i ligjit nr. 99/2024 “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë” është një hap i rëndësishëm për konsolidimin e kuadrit ligjor dhe rritjen e transparencës dhe efikasitetit në proceset inspektuese. “Elemente të rëndësishme të reformës, si parimi “Jo gjobë në vizitën e parë”, krijimi i “komisioneve të apelimit” dhe elemente të tjera thelbësore, janë pjesë përbërëse të ligjit”, thuhet në përgjigjen e Kryeministrisë ndërsa theksohet se hapat e mëtejshëm për implementimin e reformës që përfshijnë hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore, në zbatim të këtij ligji, do të plotësojnë kuadrin ligjor dhe do të përmbyllin reformën në tërësi.
Përgjigja e Kryeministrisë, datë 20 nëntor 2024
Inspektimet tatimore, kërkesat për ryshfet
H.I., drejtuese e një biznesi të mesëm në Tiranë, tregon shqetësimet dhe vështirësitë që ka hasur në marrëdhënien me institucionin e Tatimeve. Sipas saj, ndryshimet e shpeshta ligjore, pasiguria në aplikimin e tyre, dhe vështirësitë në sistemin digjital, kanë krijuar një ambient të pasigurt për bizneset e vogla dhe të mesme. “Sot që flasim mund të them me plot bindje që si drejtuese biznesi, institucioni i Tatimeve është një ndër problematikat më të mëdha që has lidhur me çdo proces dhe hallkë të tij,” thotë H.I, teksa thekson se ndryshimet e shpeshta ligjore, shpesh herë nuk reflektohen në kohë ose nuk u jepen mundësitë e mjaftueshme për t’u përditësuar dhe shmangur ndëshkimet. H.I. tregon se përditësimet për ligjet dhe rregulloret që ndodhin në sistemin tatimor shpesh janë të paqarta, duke i detyruar bizneset të konsultohen me profesionistë të jashtëm, për të mos u përballur më pas me gjobat apo çdo detyrim ligjor që varion nga këto ndryshime. “Këshillimi, qoftë në mënyrë të pavarur nga ky institucion apo edhe kur e kërkojmë mungon dhe gjithmonë na duhet të drejtohemi tek shërbimet e konsulencës ekonomike private, të cilat janë me pagesë dhe kjo përbën një kosto ekstra për biznesin.” Po ashtu, edhe pse qeveria ka angazhuar projekte digjitalizimi për të përmirësuar shërbimet për tatimpaguesit, H.I. shprehet skeptike mbi efektivitetin e plotë të këtij procesi. “Dixhitalizimi, i cili nuk ka ndodhur në 100%, është një aspekt tjetër që ka problematikat e veta. Sistemi i Tatimeve has shpeshherë ‘glinch’ (rënia e sistemit), duke bërë që në disa raste të mos shfaqen ngarkime të dokumentacioneve apo pagesave të kryera.”
H.I. tregon një rast konkret kur vitin e kaluar, sistemi nuk regjistroi pagesat e siguracioneve, duke sjellë një gjobë të padrejtë ndaj biznesit të saj. “Në tetorin e vitit të kaluar, sistemi nuk kishte marrë pagesat e siguracioneve dhe Drejtoria e Tatimeve më gjobiti. Edhe pse kam dërguar një email zyrtar dhe kam shkuar fizikisht në këtë institucion, duke treguar mandatet e pagesave të kryera përmes bankës, gjoba nuk u hoq.” Një tjetër shqetësim që H.I. ngren lidhet me praktikat e inspektimeve tatimore. Ajo thotë se, ndërsa vizitat e inspektorëve janë rralluar në numër, ato janë bërë më të ‘shtrenjta’ dhe në disa raste, janë shoqëruar me kërkesa të papranueshme. “Vizitat e inspektorëve tatimor janë rralluar (të paktën në numër), por janë ‘shtrenjtuar’. Kjo do të thotë që në të vetmen herë që vijnë, sipas procedurave, kërkojnë rryshfete, të cilat janë të papërballueshme, përveçse janë anti-ligjore. Jam e bindur se ky nuk është rasti i vetëm pasi në biseda me të paktën 10 drejtues biznesesh të tjerë që njoh kjo është një ngjarje e cila është kthyer në normalitet e cila së brendëshmi njihet edhe si ‘kafja”, thotë H.I.
Ligji i ri, mungesa e konsultimeve dhe problematika e informalitetit
Drejtuesi i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, Albert Nasto, shpreh shqetësimet e tij mbi ligjin e ri për inspektimet tatimore dhe efektet që ky ligj mund të ketë për bizneset. “Këto ligje vendosen por nuk janë konsultuar me grupet e interesit, që këtu fillon problematika. As me grupin tonë, që jemi grupi më i madh i interesit, nuk janë konsultuar. Mos konsultimi dhe mungesa e transparencës është një ndër problematikat kryesore,” thotë Nasto. Duke folur për nivelin e informalitetit në Shqipëri, Nasto shpjegon se 38-42% e biznesit të vogël dhe të mesëm është informal. “Ky nivel informaliteti në Shqipëri, ose është paaftësi, ose është selektivitet, ose është korrupsion. Madje, situata vitet e fundit është përkeqësuar,” pohon ai. Sipas Nastos, kjo situatë ka shkaktuar falimentimin e shumë bizneseve, veçanërisht në zonat rurale. “Sot kemi monopolizim të bizneseve, është përqëndruar biznesi në duart e 7 njerëzve në Shqipëri dhe bizneset e vogla dhe të mesme kanë falimentuar, mbi 110 mijë biznese kanë falimentuar për gati 11 vite. Por pse kanë falimentuar? Nga gjobat, nga presionet, nga korrupsioni, nga paaftësia, nga pushteti lokal, ” tregon Drejtuesi i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm. Albert Nasto shprehet i shqetësuar edhe për fenomenin e korrupsionit dhe presionit që ushtrojnë inspektorët tatimorë ndaj bizneseve. Ai pohon se shumë biznese janë të detyruara të japin ryshfet për të shmangur gjobat dhe ndëshkimet. “Kemi marrë pafund ankesa nga biznese të ndryshme, si furra buka, biznese ndërtimi etj. Praktikat e korrupsionit janë të shumta, ku kërkohet ryshfet për të mos u gjobitur,” thotë Nasto. Ai përshkruan se inspektorët bëjnë presion mbi bizneset për të paguar ryshfete në forma të ndryshme, përfshirë dhënien e produkteve të ndryshme, që janë të vlerësuara financiarisht. “Korrupsioni nuk ndodh gjithmonë në formë financiare, duke marrë para nga biznesi. Ka shumë raste kur inspektorët bëjnë ‘ndere’ duke mos vendosur gjobë dhe në këmbim marrin produkte nga biznesi,” thekson ai. Korrupsioni dhe praktikat e padrejta, sipas tij, vazhdojnë të mbizotërojnë, duke penguar zhvillimin e biznesit dhe rritjen ekonomike të vendit. “90% e biznesit të vogël dhe të mesëm ka dhënë ryshfet në një mënyrë apo në një tjetër,” thotë ai.
Zbatimi në praktikë: Pjesërisht i realizuar
Për shumë biznese dhe profesionistë të fushës së tatimeve, digjitalizimi i shërbimeve ka sjellë përfitime, por gjithashtu edhe një sërë sfidash që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e përditshëm të tyre. Oligerta Hoxha, kontabiliste, tregon disa prej problematikave kryesore që ka hasur me digjitalizimin e shërbimeve. “Shërbimet janë kryer mbi 90% digjitale. Ajo që theksojmë është se ka pasur problematika të ndryshme në sisteme, problematika që nganjëherë duke mos qenë në anën e biznesit apo të individit, nuk pranohen si të tilla nga administrata. Ka pasur probleme në mbingarkesë, shpesh herë nuk funksionojnë, duke rritur kohën e aplikimit për një shërbim”, thotë Hoxha. Sipas saj kjo gjë që ka shkaktuar pasiguri dhe paqartësi për drejtuesit e bizneseve. Një tjetër shqetësim i ngritur nga Hoxha ka të bëjë me efektet e këtyre problemeve në punën e bizneseve. Ajo pohon se shpesh bizneset penalizohen për shkak të gabimeve të sistemit. “Bizneset shpesh herë janë penalizuar duke mos pasur as shumë mundësi ankimimi, pasi çdo ankimim nuk është marrë në konsideratë. Përgjigjia ka qenë e vakët dhe pa asnjë hapësirë për të përmirësuar sistemin,” shpjegon ajo. Hoxha gjithashtu thekson se inspektorët dhe institucionet e ndryshme shpesh nuk ofrojnë informacion të qartë dhe të saktë për bizneset. “Disa institucione keshillojnë, disa institucione të drejtojnë te drejtoritë e tyre përkatëse, por që në fund të mos marrësh një përgjigje konkrete, por një përgjigje të përgjithshne ose aspak përgjigje, dhe në fund kur vijnë për kontroll të kërkojnë dokumenta dhe informacion për të cilën s’ka të shprehur asgjë saktësisht në legjislacion dhe ska as informim nga ana e tyre apo keshillim”, tregon kontabilistja Oligerta Hoxha.
Sfidat dhe perspektiva për bizneset në Shqipëri
Eksperti i ekonomisë, Zef Preci, vlerëson se qëllimin strategjik të reformës në kuadër të miratimit të ligjit “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë” është pozitiv dhe shkëputja e kontakteve të inspektimeve apo të administratës me bizneset është një mënyrë për të reduktuar kostot e punës së administratës. Ndonëse, sipas tij situata aktuale është ende larg realizimit të këtyre objektivave për shkak të paqëndrueshmërisë së strukturave inspektuese. Përsa i përket zbatimit në praktit të ligjit të ri, eksperti Preci thotë se është ende herët për të folur për funksionimin në praktik të tij. “Nuk mjafton deklarim online nga bizneset dhe monitorim online nga inspektoriatet, është akoma e parakohshme, ka nevojë të punohet në të dy krahët,” thekson ai duke bërë thirrje që procesi të bëhet gradualisht, duke rritur kapacitetet e administratës dhe infrastrukturën e nevojshme për një implementim efikas. Një aspekt tjetër që Preci prek është rëndësia e edukimit dhe ndërgjegjësimit të biznesve, përpara se të kalojnë në fazën e sanksioneve. “Do të ishte më mirë të kishte edukim dhe ndërgjegjësim paraprak,” shpjegon ai. Një tjetër shqetësim i ngritur nga Preci është fenomeni i ryshfetit dhe nevoja për kapacitete më të mëdha njerëzore për të zbatuar ligjin. Ai vëren se ligji i ri ka krijuar një bazë të mirë për të parandaluar ryshfetin, por zbatimi efektiv i tij do të kërkojë një angazhim më të madh nga administrata. “Në kuadrin ligjor, ne pasqyrojmë përvojat e vendeve të tjera, problemi i Shqipërisë nuk është thjesht mungesa e kuadrit ligjor, është kapaciteti i administratës për ta respektuar dhe për ta zbatuar atë,” thekson eksperti i ekonomisë.
Korrupsioni dhe abuzimet në inspektime
Reforma që synon digjitalizimin e shërbimeve tatimore ka krijuar pritshmëri për një proces më efikas dhe transparent të administratës tatimore. Megjithatë, për ekspertët e fushës, implementimi i këtyre ndryshimeve është ende larg arritjes së objektivave të tij. Artur Papajani, ish-drejtor i Tatimeve ndalet fillimisht te procesi i digjitalizimit të shërbimeve të tatimpaguesve. “Shërbimet digjitale nga viti në vit kanë njohur zgjerim në shtrirje dhe në cilësi. Por duhet theksuar se procesi u shoqërua me rritje të kostos së përdoruesve qoftë të natyrës logjistike, qoftë administrative. Vetë procesi i shërbeu më shumë mbledhjes së të ardhurave se sa efiktivitetit financiar të bizneseve,” thotë Papajani. Sa i përket reduktimit të vizitave inspektuese, ai shprehet se nuk ka vërejtur një ulje të numrit të inspektimeve në terren. “Premtim të mbajtur për reduktimin e vizitave inspektuese nuk kam konstatuar. Qoftë në verifikimet e castit në terren, qoftë ato të thelluarat në vend. Nuk vërej ndonjë ulje të numrit të vizitave apo kontrolleve”. Përsa i përket fenomenit të korrupsionit dhe ryshfetit, Papajani thekson se korrupsioni i cili është një fenomen që ka ekzistuar prej vitesh, nuk mund të “sistemohet” me një ligj. “Sa më shumë inspektoriate aq më shumë risqe për korrupsion. Për taksat dhe tatimet ngushtimi i korrupsionit (nuk besoj në zhdukje) fillon që në rekrutimin e personelit, vazhdon me procedurat dhe transparencën e çdo veprimi dhe vendimi të dhënë,” thotë Papajani. Për të reduktuar këtë fenomen, ai thekson se shteti duhet të marrë masa konkrete dhe të krijohet një sistem i fortë procedurash dhe transparence që ndihmon në minimizimin e mundësive për korrupsion. Ish drejtori i tatimeve pohon se ligji i ri mund të krijojë hapësira për zbatimin e dyfishtë të standarteve. “Përfshirja në një ligj inspektimi edhe i aspektit procedurial tatimor, aq më tepër atributi i dhënies fuqi të qeverisë për të nxjerrë vendime, sidomos për verifikimet në terren, krijojnë premisa për standarte të tjera vec atyre që parashikojnë procedurat tatimore”, thotë Artur Papajani.