Nga Roland Lami
Një pjesë e rëndësishme e tensionit aktual në hapësirën publike lidhet me faktin se mediat tradicionale kanë humbur gradualisht rolin e tyre si ndërmjetës qendror i informacionit. Brezat e rinj janë larguar prej tyre jo vetëm për arsye teknologjike, por edhe për shkak të një rënieje të perceptimit mbi besueshmërinë sidomos kur ato identifikohen gjithnjë e më shumë me pushtetin. Në këto kushte, sa më shumë që mediat tradicionale shihen si të integruara në strukturat e pushtetit politik dhe ekonomik, aq më tepër dobësohet ndikimi i tyre mbi audiencat që orientohen drejt burimeve alternative të informacionit dhe formave më horizontale të komunikimit publik.
Pikërisht për këtë arsye, kryeministri nuk e sheh më kërcënimin kryesor te mediat tradicionale, por te blogerët, influencerët dhe përdoruesit e rrjeteve sociale. Ai i sulmon, i ironizon ose i stereotipizon si aktorë periferikë, duke harruar se publiku që proteston prej kohësh nuk informohet më kryesisht nga edicionet e lajmeve dhe studiot televizive me regji. Përkundrazi, ai informohet nga videot, postimet, komentet dhe rrjetet e komunikimit që funksionojnë jashtë kontrollit të medias tradicionale.
Paradoksi është se sa më shumë përpiqet pushteti të dirigjojë mesazhin në mediat tradicionale, aq më shumë rritet mosbesimi ndaj tyre dhe aq më e madhe bëhet jehona e komunikimit në rrjetet sociale. Çdo përpjekje për të minimizuar, censuruar ose delegjitimuar një kauzë në mediat tradicionale shndërrohet në karburant shtesë për qarkullimin e saj në hapësirën dixhitale. Protestuesit në të tilla raste nuk janë më thjeshtë konsumatorë të informacionit por edhe prodhues, shpërndarës dhe amplifikues të tij. Secili po bëhet bloger, influencer ose burim informacioni për rrethin e vet social. Sa më shumë ushtrohet presioni ndaj mediave për kontroll aq më e madhe behet nevoja për ti besuar informacionit ne rrjete sociale.
Kështu janë krijuar dy realitete paralele komunikimi. Në njërën anë qëndrojnë qeveria dhe mediat tradicionale, të cilat vazhdojnë të komunikojnë sipas logjikës vertikale të kontrollit dhe ndërmjetësimit. Në anën tjetër qëndrojnë të rinjtë dhe rrjetet sociale, të cilët funksionojnë sipas logjikës horizontale të shpërndarjes së informacionit dhe legjitimimit reciprok. Konflikti nuk është thjesht politik; ai është konflikt mes dy ekosistemeve të ndryshme komunikimi, ku secila palë jeton gjithnjë e më shumë në realitetin e vet.
Në fund, halli i kryeministrit nuk është se blogerët kanë shumë pushtet, por se pushteti i mediave tradicionale nuk mjafton më për të kontrolluar debatin publik. Dhe ironia është se sa herë ai i sulmon, i ironizon apo i shpall problem kombëtar, u jep pikërisht atë që u duhet më shumë: vëmendje, audiencë dhe legjitimitet. Në këtë betejë, blogerët nuk po fitojnë sepse janë më të fortë por po fitojnë sepse kundërshtari i tyre po u bën reklamën falas.
