Nga Leonard Veizi
Shqiptarët e duan horoskopin. E duan aq shumë, sa dikur blije gazetën vetëm për faqen e fundit. Pjesën tjetër e lije të paprekur, mjafton të mësoje çfarë kishte rezervuar fati për shenjën tënde.
Gazeta e humbi peshën e dikurshme, por horoskopi jo. Përkundrazi. Sot e gjen kudo: në rubrikat e mëngjesit, në emisionet e pasdites, në portale, në TikTok, në biseda kafenesh. Është bërë ritual modern.
Dikur pyesnim gjyshen, priftin, hoxhën apo plakun e lagjes se çfarë na priste. Sot pyesim yjet. Dhe yjet, me sa duket, kanë marrë përsipër të merren me hallet tona të përditshme.
Ne e futëm horoskopin edhe në muzikë. Në Festivalin e Fundvitit 1991, Irma Libohova këndoi një këngë të Piro Çakos me tekst të Agim Doçit:
“Horoskopin dëgjojmë, horoskopin dëgjojmë,
ora tetë pa pesë fatin tonë kërkojmë…”
Ishte profeci. Horoskopi doli nga gazeta dhe pushtoi gjithçka.
Më vonë Anila Mimani e çoi një hap më tej. Horoskopi nuk ishte më parashikim i përgjithshëm, por këshilltar martese:
“Ma ka thënë dhe horoskopi, kujdes, burri po ta dredh…
po më iken mendja fare, nuk e di se si t’ja mbledh”
Nuk na mjafton më të dimë nëse do kemi ditë të mirë. Duam të dimë edhe a po na tradhton partneri. Horoskopi u bë konsulent universal: për para, dashuri, punë, shëndet, udhëtime dhe të ardhmen e fëmijëve.
Këtu fillon komedia.
Horoskopi ka 12 shenja. Bota ka 8 miliardë njerëz. I bie që çdo shenjë përfaqëson rreth 666,7 milionë njerëz. Të gjithë këta – fermeri në Bangladesh, biznesmeni në Nju Jork, pensionistja në Tiranë, studenti në Tokio – do të kenë të njëjtin fat, vetëm pse kanë lindur në të njëjtin muaj?
“Do keni përmirësim financiar.” Kush, të 666 milionët bashkë?
“Do keni fat në dashuri.” Të gjithë në të njëjtën ditë?
“Një person nga e kaluara do rikthehet.” Cili, dhe në ç’orë?
Kur e vë re këtë, astrologjia nxjerr formulën e shpëtimit: ashendentin, Hënën, shtëpitë, retrogradin e Mërkurit. E bën më të ndërlikuar që të duket më bindëse. Por një formulë e ndërlikuar nuk është domosdoshmërisht e vërtetë.
Truku më i vjetër është vagullsia. “Do përballeni me një ndryshim.” Po, jeta është ndryshim. “Dikush pranë jush nuk është i sinqertë.” E mundur. “Do keni një mundësi të re.” Kush nuk ka?
Pastaj punon kujtesa selektive. Një parashikim që qëllon mbahet mend, dhjetë që dështojnë harrohen. Nëse thotë “do merrni një lajm” dhe të telefonon një mik, thua: E tha horoskopi! Nëse nuk ndodh asgjë, e harron.
Çështja nuk është ta ndalojmë. Le ta lexojë kush të dojë për qejf. Problemi nis kur zbavitja kthehet në bindje dhe bindja bëhet udhërrëfim.
Martesën nuk e vendos Venusi. Punën nuk e vendos Mërkuri. Investimin nuk e vendos Jupiteri. E aq më pak shëndetin.
Njerëzimi eci përpara sepse mësoi të dyshojë, të vëzhgojë, të masë dhe të korrigjojë gabimet. Astrologjia bën të kundërtën: të jep përgjigje aty ku jeta nuk ka përgjigje të gatshme. Ndoshta prandaj na pëlqen. Jeta është e pasigurt. Horoskopi të jep iluzionin se dikush e di ç’do ndodhë nesër.
E vërteta është më pak romantike: asnjë yll nuk e di nëse do fitosh para nesër. Asnjë planet nuk e di nëse do dashurohesh. Dhe Mërkuri, edhe kur është retrograd, nuk ka asnjë detyrim kozmik të merret me faturën tënde të dritave. Ndaj pyetja është fare e thjeshtë: vërtet u besoni broçkullave që shesin astrologët?
Nëse po, bëni një marrëveshje me ta: mos u kërkoni të parashikojnë të ardhmen. Sepse po ta kishin këtë aftësi, nuk do shkruanin horoskopin e ditës.
Do ishin duke luajtur në bursë.
