Katër persona u vranë dhe 40 u plagosën nga një sulm me raketë ruse në qytetin Dnipro, në Ukrainën lindore-qendrore, thanë zyrtarët lokalë.
Shërbimet e emergjencës publikuan pamje ku shiheshin ekipet e shpëtimit duke transportuar të plagosur me barela dhe zjarrfikësit duke shuar flakët në vendin e sulmit. Reuters verifikoi vendndodhjen e videos nëpërmjet ndërtesave, strukturës së rrugës dhe pemëve, të cilat përputheshin me imazhet satelitore dhe ato të Street View. Data e regjistrimit u konfirmua nga deklarata zyrtare e guvernatorit lokal, po më 1 dhjetor.
Sipas shërbimeve të emergjencës, në sulm u dëmtuan një servis makinash, disa ndërmarrje, një ndërtesë zyre dhe 49 automjete.
Sulmi ndodhi në një moment kur diplomacia ndërkombëtare po intensifikohet për t’i dhënë fund luftës pothuajse katërvjeçare. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ndodhej në Paris të hënën, një ditë pasi ekipi i tij zhvilloi bisedime me zyrtarë amerikanë./mxh
