Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, dhe ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, morën pjesë në Paris, në një aktivitet të organizuar nga autoritetet franceze në mbështetje të fëmijëve ukrainas të deportuar me forcë nga Rusia gjatë luftës.
Nisma, e quajtur “Bring Kids Back”, është lancuar nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe synon “identifikimin, gjetjen dhe riatdhesimin e sigurt të të gjithë fëmijëve të deportuar ilegalisht, për t’i ribashkuar me familjet dhe kujdestarët e tyre”, sipas faqes së fushatës.
Ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Noel Barrot, në fjalimin e tij deklaroi se thirrja “Bring Kids Back” është “një thirrje zemre dhe një thirrje për unitet”. Ai akuzoi Moskën se ka shkëputur fëmijët ukrainas nga familjet e tyre dhe i ka drejtuar drejt adoptimeve të detyruara për t’i kthyer kundër Kievit.
“Është, sigurisht, një përpjekje e Rusisë së Vladimir Putinit për të zhdukur shpirtin e Ukrainës dhe thesarin e saj më të çmuar,” shtoi Barrot.
Ngjarja u zhvillua ndërkohë që presidenti Zelenskiy ndodhej gjithashtu në Paris, ku kërkoi mbështetje të mëtejshme nga presidenti francez Emmanuel Macron, përpara nisjes së vizitës së tij në Irlandë të martën./mxh
