Luciano Spalletti ka humbur durimin me mbrojtësin kolumbian Juan Cabal gjatë minutave të fundit të përballjes së Juventusit me AZ Alkmaar, në Ligën e Evropës.
Pavarësisht fitores 2-1 dhe tri pikëve të rëndësishme, fundi i takimit u shoqërua me tensione në kampin bardhezi, pasi disa gabime në repartin defensiv rrezikuan t’i kushtonin shtrenjtë skuadrës italiane.
Momenti që shkaktoi zemërimin e trajnerit erdhi pas një gabimi të Cabal në mbrojtje. Kolumbiani u kap në befasi nga kundërshtari, i cili krijoi një rast të rrezikshëm që përfundoi me topin në rrjetë. Megjithatë, goli i barazimit u anulua për pozicion jashtë loje.
Kamerat televizive filmuan reagimin e ashpër të Spallettit, i cili iu drejtua drejtpërdrejt mbrojtësit me gjeste të tensionuara.
“Do të të godas me grusht, e kupton? E kupton?”, dëgjohet t’i thotë trajneri italian lojtarit të tij, në pamjet e transmetuara pranë pankinës.
Pas ndeshjes, Spalletti foli edhe për problemet që e shqetësojnë më shumë te skuadra e tij, duke kritikuar mungesën e përqendrimit dhe hezitimin e lojtarëve në momentet vendimtare.
“Jam i bindur kur shoh se kanë qëndrimin e duhur. Ajo që më shqetëson është kur pëson një gol dhe më pas fillon të kërkosh përgjegjësitë te njëri-tjetri. Lojtarët nuk marrin vendime, hezitojnë dhe në fund kundërshtari përfiton nga hapësirat”, u shpreh Spalletti.
Tekniku i Juventusit theksoi se mosmarrja e një vendimi në fushë është edhe më e dëmshme sesa marrja e një vendimi të gabuar.
“Vendimet që nuk merren janë më të këqija se ato të gabuara. Nëse merr një vendim dhe gabon, dëmi është më i vogël sesa kur nuk vendos fare”, deklaroi trajneri.
Kështu, edhe pse Juventusi siguroi fitoren, reagimi i Spallettit tregoi qartë pakënaqësinë e tij ndaj gabimeve individuale dhe mungesës së përqendrimit në repartin defensiv./k.m
