Last Updated on 22/09/2026 by Anisa
Me urdhër të GJKKO-së, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po zhvillon kontrolle në banesën e Ilir Prodës, ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Vendimi parashikon kontrollin e banesës dhe personal të Prodës, ndërsa kontrolle po kryhen edhe në banesat e personave të tjerë. Sipas burimeve, aksioni lidhet me një fraksion të dosjes së AKSHI-t dhe hetimet ndaj Ergys Agasit, i cili u arrestua disa javë më parë.
Çështja po hetohet nga prokurorët Bledar Maksuti dhe Altin Dumani.
Në të njëjtën dosje është përfshirë edhe drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni. Ndaj saj është vendosur pezullimi nga detyra dhe masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Në momentin e arrestimit, Ergys Agasi shoqërohej nga Uljan Shpataraku, i konsideruar si një prej njerëzve të besuar të Ilir Prodës. Shpataraku ishte shkarkuar më herët nga radhët e Policisë nga Skënder Hita, ndërsa më 6 gusht ishte shpallur në kërkim pas një konflikti në një hotel në Dhërmi. Ai dyshohet se kishte kërcënuar stafin për shkak të shërbimit.
Ilir Proda u emërua në krye të Policisë së Shtetit në tetor 2024 dhe e mbajti detyrën deri më 1 mars 2026, kur u shkarkua nga Edi Rama.
Më herët, Proda kishte drejtuar Komisariatin e Elbasanit, ku është përfolur edhe për dyshime mbi dekonspirimin e një operacioni.
Në shtator 2025 u raportua se SPAK kishte sekuestruar telefonin e Prodës, në kuadër të hetimit për dyshimet mbi dekonspirimin e operacionit të 31 korrikut 2024 kundër grupit të vëllezërve Çopja në Elbasan.
Sipas raportimeve, hetimi përfshinte edhe efektivë policie dhe agjentë të BKH-së që kishin pasur dijeni për operacionin./ad
