Në vitet ’60-të, në tablonë absurde të kryeqytetit shqiptar nën diktaturë shfaqet rrezëllitëse jeta e veçantë një personazhi si Robert Prifti, biokimist, mësues i përkushtuar, politglot dhe shkrimtar i talentuar që dhuntitë e tij si krijues pak kush i dinte.
Në atë realitet mbytës, ku liria, talentet dhe dhuntitë shtypeshin pa mëshirë, në fshehtësi ai kishte krijuar dhe po zhvillonte profilin e tij si shkrimtar e poet. Vit pas viti, një valixhe misterioze, mbushej me veprat e tij në dorëshkrim. Aty mes atyre dorëshkrimeve ai kishte hedhur gjithë historitë e tij, që zbulonin njëkohësisht fatin e vendit dhe popullit të tij që përballej çdo ditë me diktaturën.
Shkruar në italisht, një prej gjuhëve që ai e njihte shumë mirë, këto vepra i ruante për ti botuar përtej detit, në rastin e parë që do ti jepej për ti kaluar andej. Kishte gjetur edhe pseudonimin me të cilin do ti prezantohej lexuesve Trevor Elin.
Jeta e Robert Priftit në Tiranën në këtë periudhë ishte një gërshetim i punës së tij si mësues, me angazhime të shumta familjare, lexime të pandërprera dhe krijimtarinë e fshehtë letrare.
Edgari, djali i tij kujton se në ato vite, ai dhe i ati ishin përballur më sëmundjen e mamasë, e cila do të reflektonte në vijim në gjithçka që ata do të ndërmerrnin në jetë. Por siç thotë Edgari, atëkohë 11-vjeçar, pesha më e rëndë në familje kaloi tek i jati, Roberti, i cili do ta çonte dashurinë e tij për Luigjinën në një tjetër dimension, ku sakrifica kthehej në lehtësim dhe focë shpirtërore dhe në këtë realitet të ri, ai do të synonte të mos mbej peng i vështirësive por të shkonte më tej në përsosjen e profilit të tij si intelektual.
Edgar Prifti: “Shkonte e zinte radhën në 4 të mëngjesit, radhën e qumështit, kujdesej për të marrë ushqimet që ishin të domosdoshme për të jetuar dhe megjithëse kishte shpeshherë edhe, siç e dimë të gjithë, kishte mangësi në këtë drejtim, por edhe ngacmime të tjera. Kështu që, d.m.th. por është e çuditshme që ai kurrë nuk e la librin.
Përveç bibliotekës standard, që kishim 2 biblioteka të mëdha që ishin ata klasikët: Balzak, Flober, Shekspiri e këta që nuk ishin, nuk përbënin letërsi të ndaluar, ai shfrytëzonte edhe autorë të tjerë. Në qoftë se do të arrij t’i mbaj mend të gjithë, por Hegelin, Shopenhauerin, Frojdin, Niçen, Kamyn, Sartrin, e ç’të them. Edhe i thoja: baba, ku i merr këta libra? – Ty nuk ka ç’të duhet, – thotë, – ti shiko punën tënde, nuk të duhet gjë se ku i gjej unë këta libra.”
Edgari u rrit me këtë imazh disi të pakapshëm të të atit. Ai kujton profilin e tij të pazakontë si mësues kryesisht i lëndëve ekzakte në shkolla, por edhe si mësues privat i gjuhëve të huaja, babanë dhe bahskëshortin e përkushtuar në shtëpi, dhe mandej intelektualin që vetëm lexonte e shkruante, pa pushim.
Edgar Prifti: Është vërtet e çuditshme se si ai arrinte të shkruante me gjithë këto vështirësi, të shkruante pa fund. Dilte nga kodrat e Liqenit, shkonte në dimër në plazh, gjente frymëzimin te deti, te natyra, që shkruante dhe ishte vërtet konsekuent për t’i dalë idesë së tij që kishte, që librat e tij t’i botonte jashtë, duke mos pasur besim që këtu do ndryshonte diçka”.
Vepra disidente e shkrimtari misterioz Trevor Elin
Edgari thotë se e kishte nuhatur herët që i ati shkruante, madje, e dinte se ato çfarë ai shkruante ishin të rrezikshme, ishin vepra dorëshkrim, që nëse do të kapeshin nga Sigurimi i Shtetit, mbase do ti kushtonin edhe jetën. Por ai nuk i dinte përmasat reale të mesazheve që lëvrinin nëpër ato dorëshrime, pasi kurrë nuk kishte mundur ti gjente e ti lexonte. Kishte vetëm një dyshim në mendjen e tij, një dyshim për vendin ku strehoheshin ato fletë.
Edgar Prifti: Kjo mori dorëshkrimesh fshihej diku. Dhe unë kam konstatuar në një moment që ato, ai i fshihte në një kasolle, që e quanim ne, kasolle të druve, që kishte arka të vjetra, materiale të ndryshme dhe aty do t’i ketë fshehur këto dorëshkrime. Ne kishim ato shtëpitë normale shqiptare që ishin me ato sobat prej druri, me ato sobat që furnizoheshin me dru për t’u nxehur në dimër. Dhe një mbrëmje më thotë: ku po del? Ishte një mbrëmje e ftohtë dhe më thotë, i thashë: ku po del tani? – Ja, të marr ca dru, – tha. Por dru kishte aty, soba bubulonte edhe s’i dhashë rëndësi. U vonua 10 minuta, çerek ore, ai mund të vinte për 2 minuta. Edhe me siguri e them që ka marrë ato dorëshkrimet që kishte dhe i ka radhitur me ato dorëshkrimet e tjera që ai kishte shkruar dhe i kishte fshehur, se s’kishte. Unë shihja në atë tavolinën e vet, në ato vendet ku mundet të mendoje se mund të gjeje diçka, nuk shihje asgjë.
Ai përkthente, sigurisht përkthente, edhe përkthente, shkruante, vizatonte. Kishte një kaligrafi të shkëlqyeshme, nuk përdorte vizore fare, me dorë, për këto mësimet që jepte në frëngjisht, që jepte në kimi, bënte, përgatiste materialin mësimor dhe nëpër të me siguri kishte ndonjë fletushkë që ai hidhte mendimet. Çohej në 12 të natës, në mes të natës çohej, i kujtohej diçka, shkonte edhe shkruante”.
Nga ajo kohë Edgari kujton edhe nji prej miqve të rrallë të të atit, shkrimtarin Kin Dushi, i cili mund të ketë qenë edhe i vetmi që e njihte veprën e Robert Priftit që në atë kohë.
Edgar Prifti: Kin Dushi vinte tek ne. Rrinte pothuajse gjithë kohës, sepse kishte një kapanon aty të ndarë me karton-xhes. Tmerr ishte ku jetonte ai.
Dhe ai tregonte admirimin dhe frikën njëkohësisht, në lidhje me ato që shkruante Roberti. Se unë mendoj, mamaja ime nuk ishte në atë gjendje më që të ndiqte veprat e tij, por me siguri Roberti, jo me siguri por duket që ai i lexonte ndonjë poezi, ndonjë pasazh nga romanet, ia lexonte dhe ai i binte kokës me grushte dhe thoshte: e di ç’ka shkruar ky. E thoshte me admirim dhe frikë njëkohësisht.”
Edgari zbulon më tej se në përmbledhjen e tregimeve “Mendimet e të vdekurve”, Roberti ka përfshirë edhe tregimin “Hija”, kushtuar mikut të tij Kin Dushit, që regjimi e kishte burgosur e përndjekur në mënyrën më të ashpër.
Roberti jetonte e krijonte me një peshë të tillë rreziku, që buronte pikërisht nga vetëdija e tij si shkrimtar e intelektual dhe nga ajo çka reflektonte tek ai jeta me privime e diktaturës.
Edgar Prifti: Ai e dinte që po të arrihej të zbulohej veprimtaria e tij klandestine, se kështu mund ta quash, për këto dekada që ai vazhdonte të shkruante, ai me siguri do kishte pasoja dhe pasojat, mendoj unë, që do ishin më të rënda se pasojat e shumë të tjerëve që u futën nëpër burgje. Atë edhe mund ta kishin vrarë pa dënim, pa gjyq fare, sepse e gjithë vepra e tij flet për një kundërvënie ndaj regjimit, por në një gjuhë letrare.” M.P.
