Last Updated on 05/08/2026 by EL
Ministria e Drejtësisë ka nisur zyrtarisht procedurat për ekstradimin e Ermal Beqirajt nga Franca.
Në një reagim zyrtar, Ministria bën me dije se firma për nisjen e kërkesës është hedhur sot dhe dokumentacioni është përcjellë pranë autoriteteve kompetente në Francë.
“Ministria e Drejtësisë bën me dije se, në përputhje me legjislacionin shqiptar, marrëveshjet ndërkombëtare dhe procedurat e bashkëpunimit juridik me Republikën Franceze, ka përcjellë sot pranë autoriteteve kompetente franceze kërkesën për ekstradimin e shtetasit Ermal Beqiraj, të përcjellë nga organi procedues, së bashku me dokumentacionin përkatës“, thuhet në njoftimin zyrtar.
Sipas Ministrisë, vijimi i procedurës do të zhvillohet në përputhje me legjislacionin francez dhe instrumentet ndërkombëtare në fuqi, ndërsa institucioni shqiptar do të vazhdojë të ndjekë procesin në bashkëpunim me autoritetet e të dy vendeve.
Një ditë më parë, gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raportoi se, megjithëse Ermal Beqiraj ishte lokalizuar në Francë, procedurat formale për ekstradimin e tij nuk ishin nisur ende.
Ministria sqaroi gjithashtu se procedura e ekstradimit nis pasi prokuroria kompetente dorëzon kërkesën dhe dokumentacionin përkatës.
Informacion mbi procedurat e ekstradimit:
* Ministria e Drejtësisë njoftohet nga autoritetet kompetente për lokalizimin ose arrestimin e një personi në një shtet të huaj, si edhe për afatin brenda të cilit duhet të paraqitet kërkesa formale për ekstradim.
* Prokuroria kompetente paraqet pranë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për ekstradim, të shoqëruar me dokumentacionin përkatës procedural.
* Drejtoria përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë verifikon dokumentacionin dhe ndërmerr veprimet për përkthimin e tij në gjuhën e shtetit të kërkuar ose në gjuhën e përcaktuar nga instrumentet ndërkombëtare.
* Pas përfundimit të përgatitjes së dosjes, Ministri i Drejtësisë nënshkruan kërkesën për arrestim provizor (kur është e nevojshme) dhe/ose ekstradim.
* Kërkesa dhe dokumentacioni u përcillen autoriteteve të shtetit të kërkuar në rrugë diplomatike, sipas procedurave ndërkombëtare.
* Për të përshpejtuar procedurën, dokumentacioni mund të transmetohet paralelisht edhe në rrugë elektronike ndërmjet autoriteteve kompetente.
* Kërkesa për ekstradim mbështetet në kërkesën e prokurorisë kompetente dhe në legjislacionin shqiptar, përfshirë Kodin e Procedurës Penale, ligjin për juridiksionin në marrëdhëniet me autoritetet e huaja dhe instrumentet ndërkombëtare të zbatueshme.
* Afati për paraqitjen e kërkesës formale dhe dokumentacionit përcaktohet nga konventat ndërkombëtare, veçanërisht nga Konventa Evropiane për Ekstradimin, e cila parashikon afatet përkatëse (40 ditë sipas nenit 24 të Konventës për Ekstradimet) pas arrestimit ose ndalimit provizor.
* Ministria e Drejtësisë siguron që kërkesa të dërgohet brenda afateve ligjore dhe ndjek në vijim komunikimin me autoritetet e shtetit të kërkuar deri në përfundimin e procedurës së ekstradimit./et
