Përgatiti: Leonard Veizi
Në teatrin e përgjakshëm të historisë moderne, pak ngjarje mbartin peshën dramatike të rënies së regjimit komunist në Rumani, në dimrin e ftohtë të vitit 1989. Ai, i cili e kishte modeluar shtetin sipas vullnetit të tij të hekurt, u përball me një fund sa paradoksal, aq edhe tragjik…
…Në mes të Revolucionit Rumun, Nikola Çaushesku dhe bashkëshortja e tij Elena, u arrestuan, u gjykuan dhe u ekzekutuan brenda pak orësh. Brenda pak orësh, çifti presidencial kaloi nga miti i paprekshmërisë në një ekzekutimi brutal, duke u bërë dëshmitarë të shembjes së godinës që vetë kishin ndërtuar mbi heshtjen dhe frikën. Ekzekutimi i tyre i rrufeshëm nën breshërinë e plumbave nuk ishte vetëm një akt ndëshkimi politik, por një epilog simbolik; ai vulosi shpërbërjen e pakthyeshme të totalitarizmit stalinist në kontinent, duke lënë pas jehonën e një lirie që lindi mes hirit dhe dhunës.
Një regjim i ndërtuar mbi frikën
Nickola Çaushesku erdhi në pushtet në vitin 1965 dhe shpejt ngriti një kult ekstrem të personalitetit. Ai dhe Elena u paraqitën si “prindërit” e kombit, ndërsa vendi u shndërrua në një shtet policor të mbikëqyrur nga Securitate, një nga shërbimet sekrete më represive në bllokun lindor.
Ndërsa propaganda fliste për pavarësi dhe zhvillim, realiteti ishte varfëri ekstreme, mungesë ushqimi, energjie dhe lirishë themelore. Politikat ekonomike katastrofike dhe izolimi i vendit e çuan shoqërinë rumune drejt shpërthimit.
Shpërthimi i Revolucionit
Revolucioni nisi në Timișoara, në mes të dhjetorit 1989, ku protestat kundër regjimit u përballën me dhunë ushtarake. Por për herë të parë, frika u thye. Protestat u përhapën me shpejtësi drejt Bukureshtit dhe qyteteve të tjera.
Më 21 dhjetor, Çaushesku tentoi të mbante një fjalim publik për të rifituar kontrollin, por turma e buçiti kundër tij. Pamjet e hutimit të tij, të transmetuara drejtpërdrejt në televizion, u bënë simbol i rënies së autoritetit absolut.
Arratisja dhe arrestimi
Më 22 dhjetor 1989, Nicolae dhe Elena Çaushesku u larguan nga selia e Komitetit Qendror me helikopter, por u braktisën shpejt nga ushtria, e cila kaloi në anën e revolucionit. Çifti u arrestua pranë qytetit Târgoviște dhe u mbajt nën ruajtje ushtarake.
Ishte momenti kur pushteti që i kishte frikësuar të gjithë, mbeti pa mbrojtje.
Gjyqi i shkurtuar
Më 25 dhjetor 1989, ditën e Krishtlindjes, Nikola dhe Elena Çaushesku u nxorën përpara një gjykate ushtarake speciale. Gjyqi zgjati vetëm pak orë. Ata u akuzuan për krime kundër popullit rumun, përfshirë gjenocid, shkatërrim të ekonomisë kombëtare dhe abuzim ekstrem të pushtetit.
Çifti mohoi legjitimitetin e gjykatës dhe refuzoi akuzat, por vendimi ishte i paracaktuar: dënim me vdekje.
Pushkatimi që pa bota
Ekzekutimi u krye menjëherë pas vendimit. Nikola dhe Elena Çaushesku u pushkatuan nga një skuadër ushtarësh rumunë – ushtarë që deri pak ditë më parë ishin nën komandën e tyre.
Pamjet e pushkatimit dhe të trupave të pajetë u transmetuan në mbarë botën, duke tronditur opinionin ndërkombëtar. Ishte hera e parë që fundi i një diktatori komunist shfaqej kaq hapur dhe brutalisht para kamerave.
Fundi i një epoke
Ekzekutimi i Nikola Çausheskëve shënoi fundin e regjimit komunist në Rumani dhe kapitullin e fundit të komunizmit të ashpër në Europën Lindore. Por revolucioni rumun mbeti i veçantë për dhunën e tij: qindra njerëz humbën jetën gjatë përleshjeve.
Historia e dhjetorit 1989 mbetet një kujtesë e errët se si pushteti absolut përfundon shpesh në mënyrë brutale – dhe se sa i shtrenjtë është çmimi që paguajnë shoqëritë për lirinë e vonuar.
