Koalicioni VLEN ka deklaruar se çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, çështje e cila ngriti sërish në protestë mijëra studentë ditën e sotme, po shkon drejt zgjidhjes konkrete, duke theksuar se ky problem, sipas tyre, nuk është adresuar për më shumë se dy dekada nga pushteti i kaluar.
Në një reagim të publikuar në Facebook, VLEN thekson se ajo që nuk është zgjidhur nga BDI për 20 vite, po realizohet tani me “veprime konkrete”, duke shtuar se provimi i jurisprudencës do të mund të jepet në gjuhën shqipe.
“Vetëm një ditë pasi bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, paralajmëruan lajme të mira lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, sot ata menjëherë u angazhuan në takim pune me kryeministrin Hristijan Mickoski për të avancuar zgjidhjen konkrete të këtij problemi shumëvjeçar.
Në takim u diskutua për përdorimin e gjuhëve gjatë dhënies së provimit të jurisprudencës, me fokus të qartë që zgjidhja të jetë e plotë, funksionale dhe në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.”, thuhet në reagim.
VLEN shprehet se arsimi, drejtësia dhe barazia gjuhësore mbeten shtylla të një shteti modern, duke premtuar zgjidhje “të plota, të zbatueshme dhe afatgjata” në interes të studentëve dhe qytetarëve./mxh
