Tre vëllezërit Alexander, mes tyre dy manjatë të pasurive të paluajtshme, janë dënuar me nga 30 vjet burg secili në SHBA, për drogimin dhe përdhunimin e dhjetëra grave gjatë disa dekadave.
Tal Alexander, 40 vjeç, dhe binjakët Oren e Alon Alexander, 39 vjeç, u shpallën fajtorë në mars për përdorimin e pasurisë dhe statusit të tyre shoqëror për të joshur gratë në festa dhe banesa luksoze, ku më pas i sulmonin seksualisht.
“Sjellja juaj ishte monstruoze”, deklaroi gjykatësja Valerie Caproni gjatë seancës së dënimit në Nju Jork. “Krimet tuaja shkaktuan kaos në jetën e tyre.”
Të martën në mëngjes, 12 viktima dëshmuan në gjykatë për traumën psikologjike që kishin përjetuar dhe për dëshirën që përgjegjësit të mbanin mbi vete turpin që ato kishin ndier. Mes tyre ishte edhe një grua që nuk kishte dëshmuar gjatë procesit gjyqësor. Disa prej tyre i kërkuan gjykatëses të jepte dënimin maksimal, burgim të përjetshëm.
Maya Miller tregoi se pas përdhunimit nga Tal Alexander në vitin 2014, kishte humbur çdo ndjenjë sigurie. “Mbaj brenda vetes një funeral të qetë për personin që mund të isha bërë nëse kjo nuk do të më ndodhte kurrë mua”, tha ajo.
Një tjetër viktimë, e identifikuar me pseudonimin Isa Brooks, deklaroi se pas përdhunimit nga Tal dhe Alon Alexander, kur ishte 16 vjeçe, kishte humbur aftësinë për t’i besuar vetes.
“Nuk e kisha idenë se në çfarë rreziku ndodhesha derisa ishte tepër vonë”, tha ajo.
Një grua tjetër deklaroi se, kur kishte planifikuar të fliste publikisht për përdhunimin, Tal Alexander e kishte kërcënuar, duke i thënë se e dinte se ku punonte motra e saj.
Prokurorja Elizabeth Espinosa argumentoi se vëllezërit meritonin dënimin maksimal, duke thënë se provat paraqisnin një tablo shkatërruese të veprimeve të tyre.
“Për vite me radhë, ata i përsosën metodat e tyre për të joshur gratë me premtimin e luksit”, deklaroi ajo, duke shtuar se vëllezërit ishin “plotësisht të paprekur nga rruga e vuajtjeve që lanë pas”.
Gjatë dëshmive të viktimave, tre vëllezërit treguan pak emocione. Ata qëndruan duke parë përpara ose u konsultuan me avokatët e tyre, të cilët thanë se i kishin këshilluar të mos i shikonin viktimat, për të shmangur keqinterpretimin e sjelljes së tyre.
Mbrojtja kërkoi dënime prej 15 vitesh burg, duke argumentuar se vëllezërit ishin bërë baballarë të përkushtuar dhe se familjet e tyre do të vuanin nga mungesa e tyre.
Të tre të dënuarit iu drejtuan gjykatës, duke vazhduar të deklaronin pafajësinë. Tal Alexander tha se ata kishin pasur një “mentalitet pune të palodhur dhe argëtimi të palodhur”, ndërsa shtoi se kishte kuptuar se sjellja e tij kishte “lënduar ndjenjat e njerëzve”.
Megjithatë, deklaratat e tyre nuk e bindën gjykatësen Caproni, e cila i kritikoi për refuzimin e pranimit të krimeve.
“Si mund të rehabilitohet dikush që nuk i ka pranuar kurrë padrejtësitë që ka bërë?”, pyeti ajo.
Në përfundim të seancës, gjykatësja dënoi secilin vëlla me 30 vjet burg për disa nga veprat penale dhe me 20 vjet për vepra të tjera. Dënimet do të vuajnë njëkohësisht.
Gjatë gjyqit pesëjavor, 11 gra, disa prej të cilave deklaruan se ishin të mitura në kohën e sulmeve, dëshmuan se vëllezërit u kishin dhënë dhurata dhe i kishin çuar me avion në destinacione si Aspen dhe Bahamas, ku i kishin droguar para se t’i përdhunonin.
Prokurorët thanë se sjellja abuzive e vëllezërve kishte nisur që në shkollën e mesme, ndërsa veprat penale të shqyrtuara në gjyq datonin nga viti 2008. Sipas tyre, vëllezërit u hidhnin drogë grave në pije dhe i mbanin fizikisht nën kontroll gjatë përdhunimeve dhe sulmeve seksuale, duke shpërfillur britmat dhe kërkesat e tyre të qarta për të ndaluar.
Avokatët e tyre argumentuan se marrëdhëniet seksuale kishin qenë konsensuale dhe se klientët e tyre kishin pasur shumë partnere, por nuk kishin qenë abuzues.
Tal dhe Oren Alexander u pasuruan përmes shitjes së pronave luksoze në Nju Jork dhe Majami. Ata punuan për kompaninë e madhe amerikane të pasurive të paluajtshme Douglas Elliman, me klientë që përfshinin Lindsay Lohan, Kim Kardashian dhe Kanye West. Në vitin 2022, ata themeluan kompaninë e tyre me seli në Nju Jork, të quajtur Official. Ndërkohë, Alon punonte në kompaninë private të sigurisë së familjes, Kent Security.
Kur dëgjuan vendimin përfundimtar, vëllezërit qëndruan duke parë përpara./mxh
