Autoritetet e Luksemburgut kanë nisur hetimet pas shikimit të dronëve të paautorizuar që detyruan aeroportin kryesor të vendit të pezullojë përkohësisht fluturimet gjatë natës. Kryeministri i vendit, Luc Frieden tha se Luksemburgu po punonte me aleatët e tij në NATO pas incidentit, i cili vjen në mes të shqetësimit të shtuar evropian për sulmet e dyshuara hibride të lidhura me Rusinë.
Transportuesi kombëtar Luxair tha se më shumë se 1,800 pasagjerë u prekën nga incidenti, me 17 fluturime hyrëse të devijuara në aeroporte, përfshirë Brukselin, Parisin dhe Frankfurtin. Fluturimet rifilluan të shtunën, megjithëse Luxair paralajmëroi se vonesat dhe ndërprerjet e mëtejshme mund të vazhdonin.
Aeroporti tha se mbyllja ishte një masë paraprake për të mbrojtur pasagjerët, ekuipazhet e linjave ajrore, punonjësit e aeroportit dhe avionët. Frieden theksoi se ishte shumë herët për të përcaktuar se kush ishte përgjegjës.
“Po e analizojmë situatën”, tha Frieden në një konferencë për shtyp të transmetuar në televizion pas një takimi urgjent me ministrat e mbrojtjes dhe të brendshëm të vendit.
Frieden tha se dronë potencialisht më të mëdhenj ishin vërejtur gjithashtu në hapësirën ajrore të Luksemburgut ditët e fundit.
“Kjo është e re për Luksemburgun, por nuk është krejtësisht e re për vendet tona fqinje”, tha ai.
Drone të paautorizuara janë zbuluar më parë pranë vendeve të ndjeshme diku tjetër në Evropë, përfshirë Belgjikën, Gjermaninë dhe Danimarkën.
Qeveritë evropiane kanë paralajmëruar vazhdimisht për aktivitete hibride të lidhura me Rusinë që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Moska në vitin 2022. Incidente të tilla kanë përfshirë sabotim të dyshuar, sulme kibernetike dhe fluturime të paautorizuara me dronë./mxh
