Marrin fund punimet për shtrimin e shtresës asfaltike në segmentin rrugor Elbasan–Papër (Faza 2), përgjatë të gjithë gjatësisë së parashikuar në projekt.
Lajmi është bërë me dije nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), i cili njofton se me përmbylljen e asfaltimit, fokusi i kantierit është zhvendosur te detajet e fundit të sigurisë rrugore.
“Aktualisht po punohet për vendosjen e sinjalistikës horizontale,” sqaron ARRSH, duke e cilësuar këtë proces si një ndër ndërhyrjet e fundit përmbyllëse që i paraprijnë dorëzimit të plotë të këtij segmenti.
Rëndësia strategjike e aksit dhe lidhja me Korridorin VIII
Aksi rrugor Elbasan–Papër konsiderohet një nyje e rëndësishme për lëvizjen e mjeteve në Shqipërinë Qendrore. Kjo vepër është pjesë përbërëse e projektit më të gjerë infrastrukturor Elbasan–Rrogozhinë.
Po ashtu, ky segment përbën një segment kyç në mbarëvajtjen e punimeve për rindërtimin dhe modernizimin e Korridorit VIII, i cili synon lidhjen e rrjetit rrugor shqiptar me akset rajonale e evropiane.
Përfundimi i sinjalistikës horizontale do të rrisë parametrat e sigurisë për drejtuesit e mjeteve që frekuentojnë këtë rrugë, përpara hapjes së plotë pa kufizime teknike./mxh
