Dua Lipa mund të nisë një kapitull të ri në Milano, duke lënë pas Londrën për t’u vendosur në një prej qyteteve më të njohura të Italisë. Sipas mediave italiane, këngëtarja po shqyrton mundësinë e transferimit në fillim të vitit 2027, ndërsa pas kësaj lëvizjeje mund të fshihet edhe një arsye financiare.
Përveç modës dhe jetës së gjallë të qytetit, Italia ofron një regjim të veçantë fiskal për personat me të ardhura të larta nga jashtë vendit, të cilët mund të paguajnë një taksë fikse prej 300 mijë eurosh në vit, nëse plotësojnë kushtet përkatëse.
Dua Lipa nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë plan, por Milano është kthyer vitet e fundit në një destinacion të preferuar për të pasurit dhe personazhet e njohur ndërkombëtarë, mes tyre edhe Naomi Campbell.
Sipas të dhënave të raportuara nga Assonime, në fund të vitit 2025 rreth 2.500 persona përfitonin nga ky regjim fiskal në Itali. Ndërkohë, kompania e këngëtares, Radical Ltd, regjistroi të ardhura prej 23.3 milionë paundësh gjatë vitit 2024.
Nëse zhvendosja realizohet, Dua Lipa mund t’i bashkohet emrave të njohur që kanë zgjedhur Milanon jo vetëm për stilin e jetesës, por edhe për avantazhet që ofron sistemi fiskal italian./mxh
