Sezoni i gjashtë i “Big Brother VIP Albania” duket se po afron, ndërsa kurioziteti për emrat që do të jenë pjesë e tij dhe risitë e këtij edicioni sa vjen e shtohet. Edhe pse Top Channel nuk ka bërë ende publike detajet zyrtare, në rrjet kanë nisur të qarkullojnë zërat e parë për atë që pritet të sjellë spektakli.
Një nga datat që po përmendet së fundmi për nisjen e reality show-t është 19 dhjetori. Deri tani, kjo mbetet një datë e pakonfirmuar zyrtarisht, por që ka zgjuar interesin e fansave të formatit.
Sa i përket prezantimit, Ledion Liço pritet të jetë sërish në krye të spektaklit. Moderatori kishte bërë të ditur më herët se do të rikthehej në edicionin e ardhshëm, duke lënë të kuptohet se do të vijojë të jetë një nga figurat kryesore të këtij formati.
Edhe për dy karriget e opinionistëve kanë nisur aludimet. Arbër Hajdari dhe Monika Kryemadhi janë emrat që përfliten për një rikthim të mundshëm në panel, pas eksperiencës në sezonin e kaluar. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse ata do të jenë sërish pjesë e spektaklit apo nëse produksioni do të vendosë të bëjë ndryshime edhe në këtë drejtim.
Por surprizat e sezonit të ri mund të mos kufizohen vetëm te personazhet që do të shohim në ekran. Vëmendja është përqendruar edhe te shtëpia e “Big Brother VIP Albania”, për të cilën flitet se mund të pësojë një transformim të rëndësishëm. Ndryshimet e mundshme thuhet se mund të përfshijnë pamjen e ambienteve, ngjyrat, mobilimin, por edhe kushtet në të cilat do të jetojnë banorët.
Nëse këto zëra rezultojnë të vërtetë, sezoni i gjashtë mund të vijë me një identitet të ri vizual dhe një koncept ndryshe nga edicionet e mëparshme. Deri në njoftimet zyrtare, mbetet për t’u parë se cilat prej këtyre risive do të bëhen pjesë e spektaklit që çdo vit tërheq vëmendjen e publikut./mxh
