Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, priti në një takim Paolo Zampollin, të dërguarin special të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për Partneritetet Globale.
Zampolli ndodhet në Tiranë në kuadër të një vizite gjatë së cilës ka zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve shtetërore, politikës dhe aktorë të ndryshëm në Shqipëri.
Gjatë takimit me Presidentin Duka, diskutimi u përqendrua te roli që sporti dhe veçanërisht futbolli mund të luajnë në diplomacinë sportive, në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në promovimin e imazhit të një vendi në arenën globale.
Presidenti Duka e njohu të dërguarin special me zhvillimin e futbollit shqiptar gjatë viteve të fundit, transformimin e infrastrukturës sportive, rritjen e standardeve të organizimit dhe përfaqësimin gjithnjë e më të rëndësishëm të Shqipërisë në kompeticionet dhe strukturat ndërkombëtare të futbollit.
Në këtë kontekst, u diskutua edhe rëndësia që ka përfaqësimi i Shqipërisë në institucionet drejtuese të futbollit europian dhe botëror. Presidenti Armand Duka është një prej drejtuesve shqiptarë me përfaqësim të rëndësishëm në këto struktura, në detyrën e Zv. Presidentit të UEFA-s, si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, si edhe në FIFA, ku është anëtar i Komitetit të Federatave Anëtare.
“Sot prita në “Shtëpinë e Futbollit”, Paolo Zampollin, të dërguarin special të Presidentit të SHBA, Donald Trump, për Partneritetet Globale.
Diskutuam mbi rolin e futbollit në diplomacinë sportive, përfaqësimin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe zhvillimin e futbollit shqiptar.
Ishte kënaqësi ta mirëprisja në “Shtëpinë e Futbollit” dhe t’i prezantoja nga afër transformimin që ka pësuar futbolli shqiptar”, shkruan Duka.
Paolo Zampolli vlerësoi kontributin e Presidentit Duka në zhvillimin e futbollit shqiptar dhe rolin e tij në përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke nënvizuar rëndësinë e sportit si një urë lidhëse mes vendeve dhe komuniteteve.
Në vijim të takimit, i dërguari special i Presidentit Trump zhvilloi edhe një vizitë në Shtëpinë e Futbollit, kompleksin modern sportiv të FSHF-së. Gjatë turit, Zampolli u njoh nga afër me ambientet dhe facilitetet që ofron kompleksi, duke shprehur përshtypjet e tij pozitive për investimin dhe standardet e infrastrukturës sportive.
Vizita në Shtëpinë e Futbollit i dha mundësinë Zampollit të shihte nga afër një prej projekteve më të rëndësishme të transformimit të futbollit shqiptar, që sot shërben si qendër e aktiviteteve të FSHF-së dhe si një hapësirë e rëndësishme për zhvillimin, edukimin dhe promovimin e futbollit në Shqipëri./MXH
