Të premten në orën 17.00, në sheshin “Skënderbej” në Tiranë është thirrur një protestë mbarëkombëtare ku do të kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, të cilët mbahen në paraburgimin e Hagës prej 5 vitesh.
Pas thirrjes së kryeministrit Edi Rama, kryeparlametares Spiropali dhe shumë figurave të tjera të politikës shqiptare, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë thirrje që qyetatarët ta mbështesin këtë protestë.
Në një konferencë të dhënë për mediat, Vjosa Osmani theksoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë. Sipas Osmanit, lufta ka pasur në themel mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe qytetarëve të pafajshëm.
“E mbështes këtë protestë, ashtu siç kam mbështetur çdo protestë që është thirrur për drejtësi. Qytetarët e Kosovës dhe më gjerë nuk kanë kërkuar kurrë asgjë tjetër përveç drejtësisë, drejtësisë së vërtetë dhe respektimit të parimeve më të larta të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Drejtësi e cila respekton parimet më të larta të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe, siç e dini, Kosova, më konkretisht ish-krerët që tani përballen në Hagë, pikërisht sepse kanë pasur besim në drejtësi, janë paraqitur para saj.
Po bëhen 5 vite pa asnjë ndryshim në drejtësinë ndërkombëtare, por ne si institucione të Kosovës vazhdimisht kërkojmë që parimet e mëdha të të drejtave të njeriut të respektohen dhe u japim plotësisht të drejtat e tyre sa herë ata protestojnë në kërkim të këtyre standardeve. Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për liri, për ta mbrojtur popullin tonë dhe çliruar Kosovën dhe luftë që ka pasur në thelb mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe qytetarëve të pafajshëm që sulmoheshin nga ushtria serbe”, tha Osmani para mediave./ K.M
