Të premten, 1 maj, u njoftua se dy aktivistë të njohur që udhëhiqnin flotiljen e ndihmave për Gazën, u dërguan në Izrael për t’u marrë në pyetje.
Dy aktivistët, spanjolli me origjinë palestineze Saif Abukeshek dhe braziliani Thiago Ávila, ishin pjesë e stafit drejtues të flotiljes “Global Sumud”, një mision që synon të thyejë bllokadën detare të Izraelit mbi Gazën dhe të dërgojë ndihma humanitare.
Sipas organizatorëve, gjithsej 22 anije dhe 175 aktivistë u ndaluan nga marina izraelite pranë Kretës.
Ata pretendojnë se forcat izraelite hipën me forcë në anije, dëmtuan motorët dhe ndaluan personat në bord. Incidenti ndodhi në ujërat ndërkombëtare, qindra milje larg Gazës.
Ministria e Jashtme izraelite tha se ndërhyrja u bë për të parandaluar flotiljen të afrohej më tej dhe të hynte në zonat e kontrolluara nga Izraeli. Sipas saj, Abukeshek dyshohet për lidhje me një organizatë të shpallur terroriste, ndërsa Ávila për “aktivitet të paligjshëm”, por pa dhënë prova.
Në një deklaratë të përbashkët, Spanja dhe Brazili e dënuan veprimin, duke e cilësuar si shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të qytetarëve të tyre.
Organizatorët e flotiljes akuzuan forcat izraelite për trajtim të ashpër, duke pretenduar se nuk u kanë dhënë ujë e ushqim dhe se i kanë dhunuar gjatë ndalimit. Ata thanë se disa aktivistë janë lënduar dhe janë dërguar në spital pas zbarkimit.
Izraeli i ka hedhur poshtë këto akuza, duke deklaruar se të ndaluarit nuk janë trajtuar me dhunë.
Flotilja, e nisur nga Barcelona, kishte si qëllim të sfidonte bllokadën mbi Gazën, ndërsa protestat në mbështetje të saj janë përhapur në disa qytete evropiane dhe botërore./kb
