‘Republika e prokurorëve’ ka marrë një tjetër sulm nga ajo e avokatëve në vend. Avokati Alfred Balla ka denoncuar një rast në Berat ku prokuroria e qarkut ka nisur hetimet për dy avokatë me akuzën se kanë përfituar shumë të konsiderueshme parash nga klientët e tyre.
Balla shkruan se pagesat mes klientit dhe avokatit kanë qenë të dakordësuara nëpërmjet një marrëveshje të nënshkruar përfaqësimi pas fitimit të proceseve gjyqësore. ‘Një marrëdhënie civile, me vullnet të lirë ndërmjet palëve, po shndërrohet në çështje penale’, shkruan Balla.
Më tej ai sqaron se gjyqtari i çështjes refuzoi kërkesën e prokurorisë për arrestimin e dy avokatëve, ndërsa shkruan se këto çështje po kthehen në një absurd institucional.
“Tjetër çudi në drejtësinë shqiptare!
Prokuroria e Beratit ka nisur hetime dhe ka kërkuar në gjykatë arrestimin e dy avokatëve.
Po, po, është e vërtetë!
Akuza: Sepse u kanë marrë “shumë lekë” klientëve – nga pagesat që vetë klientët u kanë dhënë me marrëveshje të nënshkruar përfaqësimi, pas fitimit të proceseve gjyqësore dhjetra vjeçare për shpërblim.
Pra, një marrëdhënie civile, me vullnet të lirë ndërmjet palëve, po shndërrohet në çështje penale!
Se ku hyn prokuroria në këtë raport juridik kontraktor mes avokatit dhe klientit, hajde gjeje…
Fatmirësisht, doli një gjyqtar me integritet në Berat që refuzoi kërkesën për arrestim, përndryshe sot dy avokatë do të ishin padrejtësisht në burg, dhe avokatët sërish në grevë.
Quo vadis drejtësia jonë?
Sa larg do të shkojë absurdi institucional që ngatërron të drejtën me shantazhin penal?”, thuhet në postimin e Alfred Ballës.
Të tilla çështje kanë marrë më tepër zë që pas arrestimit të avokatit Ulian Barjami po në Berat pas një përplasje në sallën e gjyqit me prokurorin Gjergji Ceka. Ky i fundit pretendoi se Barjami e kërcënoi dhe më pas oficerët e policisë gjyqësore i vendosën prangat. Gjykata e Beratit dy ditë më vonë urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij. m.p.
