Dy legjendat e Beatles, Paul McCartney dhe Ringo Starr, do të ribashkohen në skenë për një performancë të veçantë në vitin 2027. Dy muzikantët do të jenë pjesë e festivalit VetsAid, i cili do të zhvillohet në Las Vegas dhe do të mbledhë disa prej emrave më të njohur të muzikës ndërkombëtare.
Lajmi u bë i ditur të martën, më 10 nëntor, nga Joe Walsh, vokalisti dhe themeluesi i grupit Eagles, i cili zbuloi programin e festivalit. Krahas McCartney dhe Starr, në koncert do të marrin pjesë edhe grupe dhe artistë të tjerë, mes tyre The Killers, St. Vincent, The War on Drugs dhe Lucius. Në një deklaratë, Walsh u shpreh se dëshironte të kthente dashurinë që kishte marrë nga komuniteti i Las Vegasit, duke organizuar një koncert të madh në mbështetje të veteranëve dhe familjeve të tyre.
“Do të kemi koncertin tonë më të madh deri më tani! Ejani bashkohuni me ne në skenë me heronjtë e mi muzikorë, Paul dhe Ringo, si dhe të ftuar të tjerë surprizë”, deklaroi Walsh. Festivali do të mbahet më 29 janar 2027 në MGM Grand Garden Arena në Las Vegas. Të gjitha të ardhurat nga eventi do të shkojnë për shërbimet e veteranëve dhe organizatat bamirëse që mbështesin ata dhe familjet e tyre. Biletat do të dalin në shitje më 13 nëntor, përmes platformës AXS.
Ribashkimi i fundit në skenë
Paul McCartney, 84 vjeç, dhe Ringo Starr, 86 vjeç, performuan së bashku për herë të fundit në Londër në vitin 2024, gjatë koncertit përmbyllës të turneut të McCartney-t, “Got Back”. Ishte hera e parë pas pesë vitesh që dy muzikantët ndanin sërish skenën, ku interpretuan këngët “Helter Skelter” dhe “Sgt. Pepper’s Lonely Hearts Club Band (Reprise)”. Në një intervistë për “The New York Times” në korrik 2025, McCartney foli për lidhjen e veçantë që ndan me Starr, si dy anëtarët e fundit të mbijetuar të Beatles. “Meqë John dhe George nuk janë më këtu, mendoj se e kuptojmë që asgjë nuk zgjat përgjithmonë. Prandaj vlerësojmë atë që kemi sot, sepse e dimë sa e veçantë është. Jemi vetëm unë dhe Ringo dhe jemi të vetmit që mund t’i ndajmë këto kujtime”, u shpreh ai.
Nga ana e tij, Ringo Starr e ka cilësuar McCartney-n si “vëllain që nuk e kam pasur kurrë”. Dy artistët vijojnë të ruajnë bashkëpunimin edhe jashtë skenës. Në vitin 2023, ata kontribuuan në publikimin e “Now and Then”, këngës së fundit të Beatles, ndërsa në vitin 2026 McCartney përfshiu një duet me Starr, të titulluar “Home to Us”, në albumin e tij të fundit “The Boys of Dungeon Lane”./k.m
