Last Updated on 06/10/2025 by adminfjala
Monada Mehmetaj Strasburg
Strasburg Parlamenti Evropian po përballet këtë javë me një provë të re të brendshme: dy mocione mosbesimi kundër presidente së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të paraqitura nga e djathta ekstreme dhe e majta radikale. Edhe pse këto iniciativa nuk kanë gjasa reale të çojnë në rrëzimin e Komisionit, ato janë bërë shenjë e përçarjeve të thella që po tronditin shumicën tradicionale pro-evropiane në Strasburg
Një shumicë që po lëkundet
Aleanca midis Partisë Popullore Evropiane (EPP), Socialdemokratëve (S&D) dhe Renew Europe, që prej vitesh ka mbajtur një ekuilibër delikat në Parlamentin Evropian, ndodhet në pikën më të brishtë që nga fillimi i mandatit aktual.
Sipas eurodeputetit centrist Pascal Canfin, situata është “shumë e paqëndrueshme”, por alternativat janë të kufizuara: “A ka një zgjidhje më të mirë se kjo aleancë? Jo, aspak.”
Zgjedhjet e qershorit 2024, që shënuan forcimin e së djathtës ekstreme, kanë ndryshuar peizazhin politik në Bruksel dhe Strasburg. Kjo ka nxitur një debat të brendshëm në kampin pro-evropian: si duhet menaxhuar rritja e forcave euroskeptike pa u zhytur në koncesione politike që dëmtojnë axhendën e përbashkët?
Tensionet e verës: nga mjedisi te tregtia me SHBA dhane pasojat e tyre.
Shumë nga përplasjet aktuale burojnë nga çështjet mjedisore dhe nga marrëveshja tregtare me Shtetet e Bashkuara, e nënshkruar këtë verë nga von der Leyen. Marrëveshja, e negociuar me administratën e Donald Trump, u konsiderua nga disa eurodeputetë si e pabalancuar dhe e dëmshme për interesat evropiane.
“Eurodeputetët u kthyen nga pushimet të irrituar,” pranon një zyrtar i lartë i BE-së. “Ata ndjenë se Komisioni veproi pa mjaftueshëm konsultim politik.”
Von der Leyen, megjithatë, mbrojti marrëveshjen si “më të mirën e mundshme” dhe bëri thirrje për unitet, duke përmendur nevojën për stabilitet përballë luftës në Ukrainë dhe tensioneve globale.
Por mesazhi i saj nuk arriti të qetësojë përçarjet./kb
