Last Updated on 27/08/2026 by Monika
Dy persona kanë humbur jetën pas një “incidenti të dhunshëm” në një shkollë pranë Berlinit, raportuan të enjten mediat lokale. Viktimat janë një nxënëse 18-vjeçare dhe një burrë 30-vjeçar.
Sipas transmetuesit publik rajonal RBB dhe një gazete lokale, alarmi u dha në një shkollë të mesme në qytetin Gosen-Neu Zittau, pranë kryeqytetit gjerman.
Gazeta Märkische Allgemeine raportoi se i dyshuari i arrestuar është 19 vjeç dhe ish-i dashuri i viktimës 18-vjeçare. Sipas raportimit, 30-vjeçari humbi jetën teksa përpiqej të ndërhynte në incident, ndërsa ende nuk është bërë e qartë nëse është përdorur ndonjë armë apo nëse ka persona të tjerë të plagosur.
Policia kishte konfirmuar më herët vetëm se dy persona kishin pësuar plagë të rënda, se forcat e rendit ndodheshin në vendngjarje dhe se një i dyshuar ishte arrestuar.
Pamjet nga zona pranë shkollës së mesme private tregonin një ambulancë dhe dhjetëra mjete të shërbimeve të emergjencës, ndërsa në operacion u angazhuan edhe helikopterë shpëtimi.
Muajin e kaluar, dy vajza u plagosën rëndë në një sulm në një shkollë të mesme në jug të Gjermanisë, ndërsa një 16-vjeçar u arrestua si i dyshuar. Autoritetet thanë në atë kohë se ai po kalonte një “urgjencë të shëndetit mendor”. Rasti në Gosen-Neu Zittau është ende në zhvillim dhe priten detaje të tjera.
