Last Updated on 10/12/2025 by Monika
Një punonjës i Policisë së Shtetit është pezulluar përkohësisht nga detyra, pasi u shfaq në një video të publikuar në rrjetet sociale duke marrë para.
Në njoftimin e policisë së Tiranës, inspektori K. K., me detyrë trupë shërbimi në Policinë Rrugore, është pezulluar deri në sqarimin e plotë të rastit.
Bëhet gjithashtu me dije se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), ka nisur menjëherë kryerjen e veprimeve hetimore e procedurale, me qëllim sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
Menjëherë pas publikimit në rrjetin social JOQ, të një videoje ku pretendohet se një punonjës i Policisë Rrugore ka kryer një veprim të dyshuar të jashtëligjshëm gjatë ushtrimit të detyrës, ju informojmë se:
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në zbatim të rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar menjëherë nga detyra, deri në sqarimin e plotë të rastit, punonjësin e Policisë, inspektor K. K., me detyrë trupë shërbimi në Policinë Rrugore, në Komisariatin e Policisë Tiranë.
Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bazë të nenit 121, pika “d”, të Ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, ka nisur menjëherë procedimin hetimor.
Po bashkëpunohet me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), e cila ka nisur menjëherë kryerjen e veprimeve hetimore e procedurale, me qëllim sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Policia e Shtetit falënderon median dhe qytetarët që denoncojnë rastet e abuzimit me detyrën nga punonjësit e saj, dhe i fton sërish ata të vijojnë të raportojnë çdo rast të tillë, duke i garantuar reagim të menjëhershëm, profesional dhe të paanshëm./mxh
