Last Updated on 21/04/2026 by Anisa
Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka komentuar zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike , duke u ndalur te protesta e 17 prillit dhe gara për drejtimin e partisë përballë Sali Berishës.
I ftuar në emisionin “Studio24”, Salianji deklaroi se protesta e 17 prillit nuk arriti pritshmëritë dhe u karakterizua nga pjesëmarrje e ulët. Sipas tij, mënyra e komunikimit dhe pritshmëritë e ngritura nga Berisha ndikuan negativisht në perceptimin publik.
“Nga ana përmbajtësore nuk sjell asnjë të re. Protesta është e domosdoshme. Pritshmëritë e ngritura nga Berisha ia ulin vlerën. Qoftë nga gjuha që Rama nuk do jetë më këtë javë më, kilometri i fundit, edhe gjuha më pas një gjuhë e tejkaluar dhe që dëmton opozitën. Nuk mund të thuhet që regjimi u tmerrua dhe Rama nuk po dijë ku të shkojë.
Duhet një gjuhë e re komunikimi. Berisha ka kontributet e veta, por tani është i pamjaftueshëm, bile tani është i dëmshëm. Duhet shpejtësi e madhe, duhet përballje e fortë. Kemi 13 vite dhe jemi shumë më dobët se më parë. Të gjithë elementët që kanë të bëjnë me deformimin e vullnetit të zgjedhësve janë njësoj si n 2021, dhe 2025. Gabim me zgjedhjen e kandidatëve për deputet. Një prej arsyeve pse protesta ishte dobët në pjesëmarrje, janë shmangur njerëzit në struktura që kanë kontribut. Aq njerëz PD i mbledh në një qytet. Duhej një strategji e re absolute.”– ka deklaruar Salianji.
Salianji theksoi gjithashtu se PD ndodhet në një situatë më të dobët krahasuar me katër vite më parë dhe se nevojitet një ndryshim i thellë strategjik dhe organizativ.
Duke folur për zgjedhjet e brendshme në parti, që pritet të zhvillohen më 23 maj, ai ngriti pikëpyetje mbi legjitimitetin e Berishës si kryetar, duke iu referuar ndryshimeve statutore të miratuara më parë.
“Sipas tij, Berisha tani është kthyer në një pengesë për opozitën dhe duhet ndryshuar gjuha e komunikimit.”
Salianji argumentoi se, sipas nenit të njohur si “Basha”, i miratuar nga vetë Berisha, një kryetar partie që humbet zgjedhjet duhet të japë dorëheqjen dhe nuk ka të drejtë rikandidimi.
”Berisha tha Rama nuk mi vjedh zgjedhjet, e copëtoj Ramën. Vendosi një nen, nenin Basha që të hiqeshin elementët është apo jo farsë. Nëse PD pas zgjedhjeve nuk është forcë qeverisëse kryetari i partisë e humbet funksionin. Nga pikëpamja legale Berisha nuk është më kryetar që nga 11 maji”.
Në vijim të intervistës, ai sqaroi edhe pozicionin e tij për situatën politike brenda partisë dhe mundësitë për zgjidhje institucionale të krizës.
“Unë kam në plan të bëj politikë, sic e thashë nga Kukësi, qëndrimi i Berishës për të mos u larguar i shërben atij për të patur një jetë më të mirë në këtë etapë të jetës, por nuk i shërben opozitës, ndryshimit, por vetëm Ramës”, tha Salianji.
Salianji paralajmëroi se ndjekja e rrugës ligjore mund të krijojë një tjetër ngërç për PD, por theksoi se zgjidhja ekziston edhe në këtë drejtim. Megjithatë, ai u shpreh se preferon një zgjidhje politike për të shmangur dëmtimin e mëtejshëm të opozitës përballë kundërshtarëve politikë, përfshirë Edi Rama.
